Drejtuesit e Speciales në Prishtinë, kërkojnë përkrahjen e ministrisë së Drejtësisë

Drejtuesit e Speciales në Prishtinë, kërkojnë përkrahjen e ministrisë së Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, priti në takim informues Udhëheqësen e Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, e shoqëruar nga udhëheqësi për Mbrojtje Juridike, David Hein.

Sipas njoftimit të ministrisë së Drejtësisë, udhëheqësja e Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara, Donlon, informoi Ministren Hoxha rreth procesit të krijimit të Zyrës Administrative, funksionimit, gjetjes së mënyrave më të mira të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

Po ashtu, Donlon shprehu nevojën për bashkërendim dhe komunikim në mes Zyrës Administrative dhe Ministrisë së Drejtësisë për çështjet administartive, për të siguruar transparencë, drejtësi dhe paanshmëri gjatë procesit, thekson njoftimi i MD’së.

“Ministrja Hoxha, shprehu zotimin e Ministrisë së Drejtësisë për bashkëpunim, komunikim dhe koordinimin me Zyrën Administrative për të siguruar që i tërë procesi do të jetë transparent dhe i paanshëm”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Drejtësisë. /Insajderi.com