Drejtori i vetëm i AAK-së në Komunën e Prishtinës neutral ndaj akuzave të PDK-së për VV-në

Drejtori i vetëm i AAK-së në Komunën e Prishtinës neutral ndaj akuzave të PDK-së për VV-në

PDK në Prishtinë por edhe në nivel qendror ka nisur së fundmi një fushatë kundër qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet duke publikuar disa të dhëna që sipas PDK-së qesin në pah punësimet partiake dhe tenderët që Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ua ka dhënë njerëzve të afërt me VV-në.

Qysh prej marsit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje qeverisë në Prishtinë së bashku, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga ky koalicion që ishte lidhur mes kryetari Ahmeti dhe AAK-së së drejtuar nga Ramush Haradinaj, tash kandidat për kryeministër të vendit përmes një koalicioni me PDK-në, ishte vendosur që një drejtori të udhëhiqej nga AAK-ja.

Bëhet fjalë për Drejtorinë e Shërbimeve Publike që udhëhiqet nga Gent Begolli.

I kontaktuar nga Insajderi, Begolli ka thënë se dëshiron të rri neutral ndaj këtyre akuzave.

“Asgjë nga ato që po fliten nuk kanë ndodhur gjatë kohës prej se jam bërë drejtor edhe nuk e di nëse janë të sakta apo jo. Nuk ka asgjë zyrtare. Nuk e di saktë se qysh është. Jam neutral karshi kësaj situate, për shkak se janë tema të kaluara”, ka thënë Begolli.

Ai i tha Insajderit se mund të konfirmojë se në drejtorinë që e udhëheqë nuk ka të angazhuar punëtor me kontratë mbi vepër.

“Në drejtori të unë nuk ka asnjë njeri me kontratë mbi vepër. Vonë i kemi marrë dy persona me kontratë mbi vepër, por kanë qenë përmes konkursit publik. 27 veta i kemi mungesë në drejtori të cilat nuk na lejon Ministria e Financave. Për drejtori të tjera nuk e di, komuna ka shumë punëtorë”, ka thënë Begolli.

“Për ndërmarrje ne nuk kemi qasje hiq në ato punë”, ka shtuar ai.

Begolli tha për Insajderin se është mirë që për këto akuza të ftohet Prokuroria që të hetojë.

“Prokuroria duhet ti shohë nëse është e vërtetë ajo çfarë thotë PDK-ja por edhe nëse nuk është e vërtetë ka punë për shpifje. Pra në mes të këtyre akuzave që janë duke i bërë PDK-ja me VV-në është më mirë që të dy parët të punojnë më shumë për shtet”, ka thënë Begolli. /Insajderi.com