Drejtori i “Trafikut Urban” shpallë konkurs të paligjshëm për 51 shoferë autobusësh

Drejtori i “Trafikut Urban” shpallë konkurs të paligjshëm për 51 shoferë autobusësh

Fakti që drejtori i “Trafikut Urban”, Halil Mustafa ka shpallur konkurs pa u koordinuar me Bordin e Ndërmarrjes dhe pa respektuar afatin ligjor, ka bërë që Inspektorati i Punës ta anulojë konkursin.

Anulimi i konkursit ka ardhur pasi anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike Komunale, “Trafiku Urban”, kanë bërë një ankesë në Inspektoratin e Punës për publikimin e konkursit publik për punësimin e 53 punëtorëve nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Halil Mustafa.

Në mesin e këtyre 53 punëtorëve që janë parapara të punësohen, 51 ishin shoferë të autobusëve dhe një Koordinator i Ndërmarrjes e një Shef i transportit të Ndërmarrjes.

Mos koordinimi  i konkursit me anëtarët e bordit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” si dhe mos respektimi i afatit ligjor për shpalljen e konkursit në publik, ka bërë që Inspektorati i Punës të konstatojë shkelje ligjore.

“Ka pasur shkelje ligjore sepse nuk ka pasur shqyrtim të konkursit nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes dhe ka pasur shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr.14/2011 për Rregullimin e Procedurave për Themelimin e Marrëdhënies së punës në Sektorin Publik”, shkruan në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës.

Shpallja e konkursit vetëm për gjashtë ditë, i cili me vendimin e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Trafiku Urban”, është shpallur nga data 31 janar deri më deri më 6 shkurt 2017, ka bërë që  Inspektorati i Punës ta cilësoj shkelje ligjore.

“Sipas udhëzimit administrativ 14/2011, konkursi publik duhet të jetë i shpallur 15 ditë në mjetet e informimit publik dhe ato elektronik, afat të cilit punëdhënësi me rastin e shpalljes së konkursit në fjalë nuk i është përmbajtur”, është konstatimi i Inspektoratit të Punës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Pozita Koordinator i Ndërmarrjes, shpallur në këtë konkurs, sipas Inspektoratit të Punës nuk është e përcaktuar me statut dhe me akt të brendshëm të ndërmarrjes dhe pa miratimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes.

“Kryeshefi Ekzekutive brenda kompetencave të tij ka qenë dashur që ti paraqesë për miratim bordit të drejtorëve kërkesën krijimin e pozitës së re të punës më pastaj bordi i drejtorëve të nxjerre vendim për krijimin e pozitës së punës dhe pozita në fjalë të inkorporohet në Rregulloren e për sistematizim të vendeve të punës”, thuhet në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës.

Për gjetjet e Inspektoratit të Punës, lidhur më këtë konkurs, Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja “Trafiku Urban”, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Insajderit.

Komuna e Prishtinës  vitin e kaluar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Iveco” nga Çekia, për blerjen e 51 autobusëve të rinj, të cilët do të qarkullojnë në linjat rrugore të trafikut urban në Prishtinë. Deri më tani në Kosovë kanë arritur 30 autobusë të cilët presin shoferët e rinj për të nisur në qarkullim./Insajderi.com