Drejtori i ri i AKI-së e kishte shef Hashim Thaçin edhe para 13 vjetësh

Drejtori i ri i AKI-së e kishte shef Hashim Thaçin edhe para 13 vjetësh

Drejtori i ri i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, para më shumë se një dekade punonte në zyrën partiake të Hashim Thaçit.

Shefi i AKI-së, në biografinë e tij ka shënuar se gjatë periudhës korrik 2004-shkurt 2005 ishte zëvendësdrejtor për hulumtime kualitative të opinionit publik në Qendrën për Studime Politike.

Aty nuk ka treguar se në vartësi të kujt operonte kjo qendër. Por, Qendra për Studime Politike ishte krijuar nga Partia Demokratike e Kosovës, atëkohë në opozitë dhe operonte në kuadër të zyrës së kryetarit të Partisë, Hashim Thaçit.

Pjesë e kësaj Qendre ishte edhe Memli Krasniqi (PDK), tash ministër i Bujqësisë, i cili e mori drejtimin e saj në vitin 2004.

Sikurse atëherë para trembëdhjetë vjetësh, Gashi edhe tash e ka për shef Hashim Thaçin. Drejtori i AKI-së i raporton për punën e tij presidentit dhe kryeministrit të vendit.

Karriera politike e Gashit në PDK përfshinë edhe angazhimin si asistent i Grupit Parlamentar dhe këshilltar i Zenun Pajazitit (PDK). Pajaziti tash është Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Po ashtu, shefi i ri i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, ishte edhe pjesë e strukturave të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar edhe sekretari i Degës së PDK-së për Prishtinës, Bujar Cakolli.

“Mund të ju them se z. Gashi, që nga paslufta ka qenë mbështetës i konceptit dhe vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës. Mirëpo, që nga koha kur z.Gashi është zgjedhur në funksione të larta shtetërore, ai nuk ka qenë pjesë e strukturave dhe aktivitetit  partiak. Pra nga viti 2012 z.Gashi nuk është pjesë e PDK-së”, ka thënë për Insajderin sekretari i PDK-së për Degën e Prishtinës.

Driton Gashi u emëruar në krye të AKI-së pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Agron Selimaj. Këtë pozitë Selimaj e la pas ngjarjeve që ndodhën në veri të Mitrovicës, gjegjësisht provokimit të Serbisë me trenin./Insajderi.com