Drejtori i Art Motion thotë se transmetimi i Ligës së Kampionëve nga Arena Sport është në rregull

Drejtori i Art Motion thotë se transmetimi i Ligës së Kampionëve nga Arena Sport është në rregull

Drejtori sportiv i Art Motion, Agon Fehmiu, ka thënë se kjo kompani qëndron ligjërisht në rregull me transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Evropa Ligës përmes Arena Sport.

Reagimi i tij erdhi pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Mediave ku kërkohet që Art Motion të heqë dorë nga e drejta e transmetimit të këtyre dy ligave përmes kanalit Arena Sport.

“Pluhuri i cili është ngritur në media të caktuara lidhur me të drejtat e transmetimit të Ligës së Kampionëve ka qenë i bazuar në dezinformata, dhe në informata të pjesërishme, në fshehjen e fakteve të vërteta të cilat përfaqësuesit ligjorë do t’i diskutojnë më vonë”, ka thënë Fehmiu në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Është bërë bujë e madhe për blerjen e të drejtave të Art Motion të kanalit sportiv Arena Sport e cila është pronë e kompanisë HD Ëin nga Beogradi, dhe jo si është publikuar në mediat e caktuara RTS-it, e shumë e shumë dezinformata të cilat janë plasuar në opinion”.

“Fatkeqësisht, po e njëjta kompani – po flasim për Kujtesën – e cila i ka blerë të drejtat në të kaluarën nga po e njëjta Arena Sport, tash ngrit pluhur”.

Fehmiu shpjegoi procesin se si kishte arritur t’i fitojë Art Motion të drejtat e transmetimit të këtyre dy ligave, ndërkaq për kompaninë Kujtesa tha se kanë bërë gabim biznesor.

“Gjatë tenderimit të UEFA-së, pra faktikisht duke e shfrytëzuar kompaninë e autorizuar Tim për shitjen e të drejtave të transmetimit televiziv të Ligës së Kampionëve dhe të Evropa Ligës ka ekzistuar një tender në të cilën të gjitha palët kanë qenë të informuara se: kanë qenë katër shtylla aty: Kosova do të tenderojë në mënyrë të pavarur për të drejtat e Ligës së Kampionëve për periudhën 2018-2021. Të gjithë atyre të interesuarve që kanë dashur t’i blejnë të drejtat për transmetimin e Ligës së Kampionëve e kanë ditur se ky proces do të fillojë njëkohësisht në Kosovë dhe në Shqipëri. Mirëpo që të drejtë për blerjen e të drejtave do të kenë edhe për tenderim të kryqëzuar. Pastaj, transmetuesve serbë do t’iu lejohet të tenderojnë për transmetim në gjuhën serbe në Kosovë. Këtë e kanë ditur të gjithë”.

“Çfarë ka ndodhur? Kujtesa e ka fituar tenderin, i ka paguar milionat e milionat, mirëpo nuk e ka blerë të drejtën pasi ajo e drejtë tashmë i ishte shitur Arena Sportit për të transmetuar në territorin e Kosovës në gjuhën serbe.

Ai ka mbetur i habitur që Komisioni i Pavarur i Mediave ka reaguar vetëm kur Art Motion e ka marrë Arena Sportin, por jo edhe kur Kujtesa i kishte blerë të drejtat nga ta.

“Është për t’u çuditur se si në rastin kur tash ne po e marrim Arena Sportin dhe po e fusim në kuadër të përmbajtjes programore të Art Motion – është program nga Beogradi, e njëjta firmë me të cilën Kujtesa ka bashkëpunuar deri para disa muajsh, sepse të drejtat televizive për transmetimin e Ligës së Kampionëve i ka blerë prej po të njëjtës Arena Sport – asnjëherë as Komisioni i Pavarur i Mediave, as Komisioni Parlamentar i Mediave nuk kanë bërë bujë”, shtoi Fehmiu duke kërkuar një përgjigje se pse tani po e bëjnë një gjë të tillë.

“Në këto 18 vjet ne shumë mirë e dimë se Ligën e Kampoionëve dhe të gjitha ligat e futbollit evropian dhe të huaj në Kosovë janë blerë nga Beogradi. Pse për këto 18 vjet askush nuk çoi bujë?”

Fehmiu këmbënguli që Art Motion është ligjërisht në rregull sa i përket transmetimit të këtyre dy ligave përmes Arena Sportit, por kërkoi përgjigje nga KPM-ja duke thënë se ata kanë vepruar në kundërshtim me rregulloren.

“Për më tepër KPM-ja ka kontaktuar edhe vetë UEFA-në sepse në pretendimet e Kujtesës se ata janë transmetues ekskluzivë të Ligës së Kampionëve në Kosovë, i kanë dërguar dokumentet e KPM-së. Dhe pas bisedave të cilat i kemi pasur me Komisionin e Pavarur të Mediave ne i kemi parashtruar dokumentet tona dhe KPM-ja ia ka dërguar UEFA-së”.

“Përgjigja nga UEFA ka thënë se: janë dokumentet, janë dëshmitë, për ato duhet të flasë departamenti ligjor”.

“Art Motion është në rregull me transmetimin e Arena Sport përkatësisht të Ligës së Kampionëve dhe UEFA Evropa Ligës në Arena Sport në kuadër të përmbajtjes programore të Art Motion”.

“Si është e mundur që të gjitha këto dëshmi, kontrata ligjore, të dëshmuara dhe të vërtetuara edhe nga vet UEFA të kontestohen në Kosovë. Këtë përgjigje duhet ta japë KPM-ja, njerëzit të cilët e udhëheqin KPM-në, të tregojnë se si kanë mundur të veprojnë në kundërshtim me rregulloren, në kundërshtim me ligjin për funksionimin e Komisionit të Pavarur të Mediave”.