Drejtorët e dorëhequr të AKI-së

Drejtorët e dorëhequr të AKI-së

Agron Selimaj ka pasur përvojën e njëjtë sikur të ish-drejtorit tjetër, Bashkim Smakaj, i cili po ashtu ishte dorëhequr nga kjo pozitë.

Tashmë ish-drejtor i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Agron Selimaj, njoftoi të premten në mbrëmje se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Në letrën e dorëheqjes dërguar krerëve të lartë të shtetit, Selimaj nuk ka dhënë detaje për arsyet e këtij vendimi.

Ai vetëm ka thënë se pas disa viteve shërbim, dëshiron t’i përkushtohet familjes dhe të filloj një kapitull të ri në jetë.

Dorëheqja e Selimajt vije pas më pak se dy vite që kur ai u emërua në këtë pozitë. Insajderi ka provuar të kontaktojë me Selimajt për të mësuar arsyet e dorëheqjes, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

AKI, një nga institucionet kyçe të sigurisë në vend, ishte përballur edhe më herët me dorëheqjen e drejtorit.

Me 16 janar të vitit 2015, Bashkim Smakaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti pas gjashtë viteve në krye të AKI-së.

Në atë kohë ishte raportuar se ish-Presidentja Atifete Jahjaga kishte kërkuar dorëheqjen e tij.

Në ndërkohë, “vala” e dorëheqjeve në AKI pritet të përfshijë edhe Inspektorin e Përgjithshëm, Shkelzen Sopjani.

Insajderi mëson prej burimeve të veta se Sopjani do të ofrojë dorëheqjen e tij për të evituar shkarkimin ndërsa arsyeja e largimit të tij është për shkak të keqpërdorimeve të shumta në AKI.

Të enjten, Insajderi ka raportuar se AKI, institucion ky në varësi të kryeministrit, i kishte dhënë tender për riparimin e një veturë kompanisë që është pronë e djemve të Kryeministrit Mustafa. Sopjani dyshohet se ka ndërhyrë që ky tender t’i jepet djemve të kryeministrit.

Redaksia ka kontaktuar me Sopjanin i cili nuk ka dashur të komentojë lidhur me mundësinë e largimit të tij.

“Më tregoni ju mua”, ka thënë ai, kur është pyetur nëse do të japë dorëheqje.  Pastaj, ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetje të tjera, para se të ndërpriste bisedën telefonike./Insajderi.com