Drejtoresha e shkollës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Drejtoresha e shkollës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prizren, të enjten, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Behare Kryeziut, drejtoreshë në shkollën fillore të mesme të ulët “Mustafa Bakija” në Prizren, për shkak të dyshimit të bazuar se ajo ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Organi i ndjekjes pretendon se kjo drejtoreshë me nënshkrimin e saj dhe me vulë zyrtare ka vërtetuar një dokument, që përmbante të dhëna të rreme, shkruan sot Koha Ditore.

“Sipas aktakuzës, B.K. më 23 nëntor 2016, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtoreshë e SHFMU “Mustafa Bakija” në Prizren, me nënshkrimin e saj dhe me vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar, i cili përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që kundërligjshëm ka lëshuar dokumentin, përkatësisht vërtetimin me numër të protokollit 127/2016, në emër të qytetares S.A., kinse ajo kishte punuar në këtë shkollë, e i cili vërtetim asaj do t’i shërbente për punësim”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. Ky organ ka vlerësuar se me këto veprime B.K. “ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Nga ana tjetër drejtoresha B.K. ka pranuar se kishte lëshuar një dokument të tillë, por ka shtuar se ai pas kërkesës së saj për verifikim është anuluar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.