Drejtësia në Kosovë në hap me teknologjinë e fundit

Drejtësia në Kosovë në hap me teknologjinë e fundit

Drejtësia në Kosovë, si shtylla e tretë më e rëndësishme, ndonëse me shumë probleme dhe peripeci dita e ditës po avancohet sa i përket fushës së teknologjisë informative dhe transparencës ndaj qytetarëve.

Me financim nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë këtij institucioni nga dje i është dhënë në përdorim data qendra, që është nga më të avancuarat e këtij lloji në shtetet e Bashkimit Evropian.

Prej kohës kur Pallati i Drejtësisë është vendosur në lokacion të ri investimet në këtë fushë nuk kanë munguar dhe besohet që përmes këtyre investimeve do të sigurohet që e gjithë puna e drejtësisë në Kosovë do të kalohet nëpër kanale të sigurta të komunikimeve.

Realizimi i këtij projekti me rëndësi të veçantë për gjyqësorin kosovar i është besuar kompanisë InfoSoft Systems Prishtina, pjesë e InfoSoft Group Albania me 26 vjet eksperiencë në fushën e IT-së në Shqipëri e Kosovë dhe sipas ekspertëve kyç të projektit, kanë kaluar thuajse një vit prej kur kanë filluar detyrat e para për vënien në jetë të kësaj qendre.

Në mesin e të pranishmëve të shumtë në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ambasadori i Ambasadës Norvegjeze në Kosovë, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial, prokurorë e gjykatës të shumtë dhe donatorë të tjerë si: USAID-i amerikan e po ashtu përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fund të fjalimit të tij ambasadori norvegjez në mes tjerash tha që i gjithë projekti është realizuar në mënyrë tejet profesionale.