Dosjet dhe “tradhtia” – dy arsyet e LDK-së kundër koalicionit me VV-në

Dosjet dhe “tradhtia” – dy arsyet e LDK-së kundër koalicionit me VV-në

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë mundësinë e arritjes së ndonjë koalicioni me Vetëvendosjes, nëse kjo parti nuk i sqaron akuzat për “tradhëti”.

Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Mustafa tha se me Vetëvendosjen duhet t’i sqarojnë disa çështje para se të shikojnë mundësitë e lidhjes së koalicioneve.

Ai rikujtoi se Vetëvendosje e kishte akuzuar për tradhti kur LDK-ja kishte lidhur koalicion me PDK-në, pas gjashtë muajsh bllokade institucionale, në vitin 2014.

“Neve VV na kanë quajtur tradhtarë. Dhe nëse dikujt i themi tradhtar atëherë pa u sqaruar nuk do te mund të ulemi në tavolinë”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Tjetër “çështje” që kërkon sqarim janë dhjetëra dosje që VV i ka dërguar në prokurori për Isa Mustafën në lidhje me qeverisjen e tij në Prishtinë.

“Ata duhet t’i sqarojnë pozicionet e tyre si parti. Në qoftë se dikush ka dërguar 72 lëndë në prokurori për mua atëherë ata duhet të deklarohen a janë të vërteta apo vetëm kanë bërë propagandë. Mua asnjëherë s’më ka thirr Prokuroria. Atëherë si të bëjmë koalicion me një parti kur nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me demarkacionin, shndërrimin e FSK-së në ushtri, ekonominë”, është shprehur Mustafa.

Nga ana tjetër, Mustafa tha se po presin që PAN-i t’i konsumojë procedurat për të prezantuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Do të presim që koalicioni PAN të zhvillojë procedurat, që ta prezantojë kandidatin. Nuk ka arsye të bllokohet vendi”, tha Mustafa, duke përsëritur qëndrimin se LDK nuk do ta votojë Kadri Veselin.