“Dosja e Shefave” në mediat rajonale dhe ndërkombëtare

“Dosja e Shefave” në mediat rajonale dhe ndërkombëtare

Skandali i përgjimeve të publikuara në Insajderi dhe që priten të botohen në një seri shkrimesh gjatë këtij muaji, ka mbërritur edhe në mediat e huaja.

Përpos medieve serbe që kanë raportuar me të madhe sot gjatë ditës, përfshirë ato më mëdha, për Dosjen e Përgjimeve ka raportuar edhe gazeta kroate, “Vijesti” duke shkruar sesi gazeta Insajderi me këto publikime të përgjimeve pritet që ta skandalizoj skenën politike të Kosovës.

“Portali nga Kosova “Insajderi” ka njoftuar se do të fillojë të martën publikimin e një seri të shkrimeve që bazohen mbi të gjeturat nga përgjimet e partisë së Hashim Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës”, shkruan Vijesti.

Ndërsa Agjencia e Lajmeve “Nova” e cila përkthehet në disa gjuhë, ka cituar kryeprokurorin e shtetit, Aleksander Lumezi teksa ka thënë se të gjitha materialet e publikuara janë tashmë në duart e prokurorëve dhe po analizohen për çështje hetimore.

“Insajderi nuk e shpjegon përmbajtjen e këtyre bisedave por pohon se kur ato do të publikohen do të zbardhin shume detaje sikurse ajo se Thaçi ka qenë nën presion ndërkombëtarë për miratimin e Ligjit për Qendrën Historike në Hoqës së Vogël, në Prizren”, shkruan kjo agjenci.

Të mërkurën,  Insajderi boton pjesën e dytë të Dosjes së Shefave.

Të hënën, Insajderi publikoi paralajmërimin se ka siguruar mbi një mijë biseda telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit, të bëra gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. Ato janë nxjerrë me vendim të gjykatës.

Ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura. Ai ka ndikim mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës, mbi media siç është Televizioni Publik, disa gazeta ditore, mbi një televizion privat dhe mbi shumë gazetarë. Insajderi do të sjell një seri bisedash të Grabovcit me Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashin, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak, ndërhyrjet në punën e Kuvendit dhe deputetëve.