Dorëheqja e radhës nga VV: Jam shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm

Dorëheqja e radhës nga VV: Jam shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Niman Rexhepaj i cili jeton dhe punon në Zvicër, përmes një shkrimi ka treguar se që nga sot nuk do të jetë më pjesë e partisë e kësaj partie.

“Të dashur miq të fb, shokë nga Lëvizja Vetëvendosje, nga sot e tutje, unë nuk do të jem më aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka shprehur zhgënjimin e tij me këtë parti, duke thënë se e kanë shfrytëzuar njerëz të papërgjegjshëm.

“Po ndihem jashtëzakonisht i zhgënjyer, tmerrësisht i befasuar për keq dhe jam shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm, e që janë të dobët moralisht e kombëtarisht”, ka shkruar më tej ai.

Sipas tij, “në këtë subjekt politik, ata që mendojnë ndryshe dhe nuk iu përshtatën veprimeve e mendësisë së tyre ekstreme, eliminohen dhe përjashtohen në mënyrën më të turpshme të mundshme”.

“Unë jetoj dhe punoj në shtetin e Zvicrës dhe në pamundësi për të qenë më afër rrjedhave politike përbrenda subjektit në fjalë, nuk kam arritur deri më tani ta kuptoj dashakeqësinë e tyre për shtetin e Kosovës dhe qëllimin e tyre për ta shkatërruar atë”, ka shkruar tutje Rexhepaj.

Ai ka thënë se brenda Vetëvendosjes janë disa misionarë që bëjnë shpërlarjen e trurit të të rinjve.

“Ky subjekt, sa unë kam arritur ta kuptoj, ka disa misonarë të cilët vijnë nga jashtë e që ndihmohen nga disa injorantë të tjerë përbrenda, bëjnë shpërlarjen e trurit të të rinjve nga mosha 17 vjeçare deri tek ajo 24, e të cilët i doktrinojnë për ta diskredituar e shkatërruar shtetësinë e Kosovës”, ka vazhduar me akuza Rexhepaj.

“Jam tmerrësisht i befasuar nga kjo gjë dhe njëkohësisht po ndihem shumë keq që pavetëdije kam kontribuar për këtë idiotësi nga e cila shumë aktivistë të rinj kanë përfunduar me fatalitet”, thuhet më tej në postimin e tij në Facebook.

Lutja e Rexhepajt është që të mos bien pre, siç ka thënë ai, idiotëve.

“I lus të gjithë ata të rinj që janë pjesë e këtij subjekti politik, ta fusin trurin e tyre në përdorim që të mos bien pre e këtyre idiotëve dhe të largohen sa më parë nga ky subjekt, sa nuk kanë pësuar!”, vlerëson ai.

“Mallkuar qofshin të gjithë ata që kanë për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës!”, përfundon postimi i tij./Insajderi.com