Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, i cili nuk është më në planet e skuadrës së Schalke 04, mund të transferohet në Turqi gjatë kësaj jave.
Siç raporton gazeta gjermane Bild, kosovari nuk mund të transferohet në skuadrat e Gjermanisë pasi në këtë shtet është mbyllur afati kalimtar veror për transferime. Opsion për Avdijajn mbetet Superliga e Turqisë.
Avdijaj nuk është në planet e Schalke 04 pasi gjatë muajit të kaluar theu disiplinën e klubit, duke u vonuar për një ndeshje miqësore të klubit të tij.
Trajneri Domenico Tedesco i ka treguar derën futbollistit kosovar.
Avdijaj, i cili përfaqëson Kosovën në rang kombëtar, më parë ka luajtur edhe për kombëtaret e moshave të Gjermanisë. /Insajderi.com