Donald Trump pas samitit ka zbuluar se ka bërë një koncesion të madh për Kim Jong-unin

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë sot në konferencë për medie në Singapor se Koresë Veriore do t'i hiqen sanksionet kur armatimi nuklear më nuk do të jetë faktor në Gadishullin Korean, dhe se ushtria amerikane do t'i ndërpresë ushtrimet ushtarake të drejtuara ndaj këtij vendi.

Donald Trump pas samitit ka zbuluar se ka bërë një koncesion të madh për Kim Jong-unin

“Historia ka treguar se armiqtë vërtetë mund të shndërrohen në miq”, ka thënë Trump në deklaratën për shtyp pas përfundimit të samitit.

“Na nevojitet urgjentisht ndryshimi, takimi im me Kimin ishte i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe produktiv. Por nuk do të mashtrohemi, ky është vetëm fillimi i një procesi të vështirë dhe të komplikuar – Kim është shumë i talentuar, ka ardhur në pushtet si djalosh, ndërsa për ta udhëhequr një vend është një punë tmerrësisht e vështirë.

Ka porositur se ushtria amerikane do t’i ndërpresë ushtrimet ushtarake të drejtuara ndaj Koresë Veriore sepse me ato mund të ngrihen tensionet, por edhe “do të kursehet një mal me para”. Këtë vendim e konsideron si koncesion të madh për Kimin, transmeton Insajderi.com.

Ai gjithashtu ka thënë se do të hiqen sanksionet ndërkombëtare për Phenianin kur “të jemi të sigurt se armatimi nuklear më nuk është faktor”.

“I gëzohem ditës kur do të hiqen sanksionet ndërkombëtare”, ka thënë Trump, dhe në pyetjen përse nuk i ka siguruar garancitë më të forta nga Koreja Veriore për t’i hequr sanksionet, ai është përgjigjur, “nuk ka pasur kohë, nuk mund t’i zgjidhni të gjitha për një ditë”, ka thënë Trump  cili ka parashikuar për veri të gadishullit një bum ekonomik.

“Nuk ka kufij për atë se çfarë Koreja Veriore mund të arrijë kur të heq dorë nga armatimi bërthamor. Bota dëshiron të bashkëpunojë me të, ndërsa për Kimin ky është shansi të hyjë në histori si njeriu i cili e futi Korenë Veriore në një epokë të re dhe prej saj e bëri një vend të zhvilluar”, ka thënë, duke u thirrur në arritjet ekonomike të fqinjëve, siç janë Kina dhe Koreja Jugore.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreanoverior Kim Jong-un janë pajtuar për denuklearizim të plotë të Gadishullit korean në shkëmbim për garancitë për siguri të Koresë Veriore, thuhet në dokument të cilin dy burrështetas e kanë nënshkruar në fund të samitit, lajmërojnë agjencitë.

Në dokumentin i cili i ka katër pika, SHBA dhe Koreja Veriore janë obliguar për zhvillim të marrëdhënieve të reja ndërshtetërore, ndërtim të paqes stabile dhe të përhershme, ndërsa Pheniani është obliguar që t’i kthejë të burgosurit e mbetur nga Lufta e Koresë.

Deklarata përfundon me obligimin për të dyja vendet se do të vazhdojnë negociatat edhe më tutje dhe “sa më shpejtë është e mundur”. Nga ana amerikane negociatat do të udhëheqë sekretari i shtetit Mike Pompeo, ndërsa lideri i ekipit koreanoverior nuk është i njohur.

Për momentin ende nuk është e njohur se çfarë do të thonë termet “denuklearizimi i plotë” dhe “garancitë e sigurisë”.

Disa minuta para nënshkrimit, Trump e ka quajtur marrëveshjen si “gjithëpërfshirëse”, ndërsa Kim ka thënë se “Koreja Veriore ka vendosur që ta lë historinë pas vetes” dhe se “bota së shpejti do të sheh një ndryshim të madh”.

Trump ka premtuar se do ta ftojë Kimin në Shtëpi të Bardhë, por nuk ka thënë se kur.

Dokumenti është nënshkruar në fund të takimit të parë, historik të liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore./Insajderi.com.