Doktori nga Peja që e ktheu certifikatën e veteranit

Doktori nga Peja që e ktheu certifikatën e veteranit

Ndonëse dita kur e mori certifikatën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ishte njëra nga ditët më të lumtura të jetës së tij, për shkak të kontributit në luftën e fundit, doktori nga Peja, Mazllom Smajli, ka vendosur që ta kthejë prapa këtë status.

Ai në një letër dërguar kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL)-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka treguar për arsyet se pse ai e ka ndërmarrë një veprim të tillë.

Aty thuhet se keqpërdorimet, njollosja e statusit, manipulime me fakte, janë prej arsyeve kryesore që e kanë shtyrë ta marrë këtë vendim, të cilin e cilëson si shumë të vështirë.

“I indinjuar me këto raste të cilat sa vinë e shtohen çdo ditë unë kam vendosur t’i mbrojë këto vlera. Pakënaqësitë e shumta në popull ma kanë forcuar bindjen dhe vendimin tim për distancim”, ka shkruar ndër të tjera Smajli.

Ai për distancimin nga statusi i veteranit, ka numëruar arsyet rreth këtij vendimi:

“Degradim i vazhdueshëm i emrit të veteranit të luftës; Njollosja e statusit të veteranit të luftës; Pakënaqësitë e mëdha të shkaktuara nga pseudo – veteranët e luftës; Shfrytëzimi i statusit të veteranit të luftës për interesa personale; Kujdestari në përvetësimin e kontributeve të të tjerëve; Manipulimi me të vërtetën ne formë të shkruar”, ka shkruar më tej ai.

Ai thotë se sot më keqardhje dhe zemërthyer marrë këtë vendim të largimit nga OVL. Ky veprim bëhet me qëllim ë mbrojtjes së veteranit të luftës nga degradimi,njollosja, pakënaqësia, shfrytëzimi, përvetësimi dhe manipulimi me vlerat e luftës. Ky veprim mund të ndryshojë vetëm atëherë kur listat e veteranëve të pastrohen.

“Z. Gucati, duke besuar në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe në organizatën e OVL, unë  mbes me shpresë se ju dhe OVL do të reflektoni nga këto pakënaqësi”, përfundon letra e doktorit pejan, Mr. Sci, dr, Mazllom Smajli. /Telegrafi/