Dodik po përgatit terrenin për të ndarë Bonjën më 2018

Entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë po mban një referendum kundërthënës në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Sarajevë

Dodik po përgatit terrenin për të ndarë Bonjën më 2018

Rreth 1900 vendvotime janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit në Republikën Serbe, ku mbi 1.2 milionë qytetarë do të kenë rastin të deklarohen në pyetjen; “E mbështetni që 9 janari të shënohet si Dita e Republikës Serbe”.

Referendumi i planifikuar ka çuar drejt debatit “më të nxehtë” ndërmjet zyrtarëve myslimanë të Bosnjës dhe atyre serbë të Bosnjës, që prej vitit 1995 kur me Marrëveshjen e paqes u krijua Republika Serbe, si një prej dy pjesëve konstitutive të Bosnjë Hercegovinës.

Pyetja e referendumit për votuesit në Republikës Serbe nëse e mbështesin propozimin që “Dita e shtetësisë” të jetë më 9 janar, përputhet me një festë Ortodokse Serbe dhe përvjetorin kur ligjvënësit serbë të Bosnjës më 1992 shpallën pavarësinë nga Bosnja, që nxiti luftën trevjeçare etnike.

Komunitetet jo serbe e shohin datën si një simbol të dëbimit të tyre nga territoret e kontrolluara nga serbët e Bosnjës dhe një indikacion se Republika Serbe është krijuar vetëm për Serbët.

Më 17 Shtator, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, me seli në Sarajevë, ndaloi referendumin, duke vendosur se festa e 9 Janarit diskriminon në mënyrë joligjore myslimanët e Bosnjës dhe Kroatët katolikë.

Presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, e ka shtyrë përpara mbajtjen e referendumit.

Kritikët e akuzojnë se po provon të krijojë bazën për një referendum në të ardhmen, më gjasë më 2018, “nëse Republika Serbe duhet të ndahet nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Një hap i tillë do të thoshte edhe fund i Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës trevjeçare të Bosnjës.