Djali i shpëtuar nga Nënë Tereza

04.09.2016 15:14

Nënë Tereza u shua nga jeta më 5 shtator të vitit 1997, por vetëm fizikisht. Bota jeton edhe sot me kujtimin e saj. ashtu rrëfen edhe Gautam Lewis, i cili  e përshkruan Nënë Terezën si “shenjtorja që është nena ime”.

Djali i shpëtuar nga Nënë Tereza

Ai ishte një nga fëmijët e jetimores Shishu Bhavan të drejtuar nga Gonxhe Bojaxhiu, por që me ndihmën e saj, jeta e Gautam mori një rrjedhë tjetër.

“E kam të pamundur të harroj Nënë Terezën. Ajo më shtriu dorën dhe më dha mundësin t’i ikja varfërisë dhe të jetoja një tjetër fat në Angli. Kam lindur në Kalkutë në vitin 1977, edhe pse nuk e di datën e saktë kur erdha në jetë, madje nuk di se cilët janë prindërit e mi të vërtetë. Ata më braktisën foshnje dhe më lanë në duart  e murgeshave. Isha i sëmurë me poliomelit dhe njëherësh i paralizuar, ndoshta prandaj nuk më donte njeri.”  

“Deri këtu jeta ime ju duket e pafat, ndërsa unë personalisht e quaj veten njeri me shumë fat sepse Nënë Tereza mori përsipër të kujdesej për mua. Shtëpia e Shishu Bhavan ishte plot me dhoma dhe fëmijë që donin përkujdesje. Nënë Terezën nuk e shihja çdo ditë pasi axhenda e saj ishte shumë e ngarkuar, por ajo gjithmonë sigurohej të shihte fëmijët e saj. Çdo të dielë na vishte me rrobat tona më të mira dhe na merrte të dëgjonim meshën ku predikonte”, kujton sot Gautam Lewis.

Ai, vetëm 8 vjeç ishte i paralizuar dhe rrëfen se puna e motrave me të ishte dyfish e vështirë, shkruan Tch.

“Unë isha thuajse i kërrusur nga sëmundja dhe Nënë Tereza më dukej shumë e gjatë, edhe pse në trup ishte tepër e imët. Por hija e saj dukej si mburoja ime. Fliste ëmbël me një theks anglez. Kurrë nuk e kam parë të bërtiste”, thotë ai.

Kujtimet e Lewis në Kalkuta si fëmijë jetim ishin të tmerrshme, ai thotë se ishin ditë të errta e të vetmuara. Në atë kohë madje, për një periudhe 6-mujore i ikën fjalët kur askush nuk interesohej për ta adoptuar. Nënë Tereza i sigurioi djalit një psikolog. Pas kësaj çeli një dritë në fund të tunelit.

“Në jetën time kam 3 nëna: atë biologjikën, Patrician, gruan që më adoptoi atëherë kur më pak e prisja dhe sigurisht Nënë Terezën. Nuk do të isha gjallë nëse jeta ime nuk do të ishte kryqëzuar me to”, deklaron ai.

Gautam Lewis u adoptua në vitin 1985 dhe së bashku me nënën e tij Patricia u shpërngul në Angli ku mori trajtimin e duhur mjekësor dhe edukimin. Sot, Lewis ka diplomë universitare për biznes, gëzon statusin e pilotit të kualifikuar dhe mbi të gjitha është themelues i një shkolle në Britaninë e Madhe për pilotët me aftësi të kufizuara. /Insajderi.com