Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së indirekt akuzon këtë parti për moszbardhjen e vrasjes

Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së indirekt akuzon këtë parti për moszbardhjen e vrasjes

Djali i ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci, i vrarë para 17 vjetësh në dalje të banesës derisa po shkonte në punë, ka akuzuar institucionet e vendit se kanë dështuar t’i gjejnë vrasësit e babait të tij.

“Kanë kaluar tashmë 17-të vite që ne si familje po kërkojmë të vërtetën rreth vrasjes së babës. Për familjen, atentati ndaj babës mbetet ende i pa ndriçuar, prandaj hetimet duhet të vazhdojnë ose të rishikohen aty ku kanë ngecur”, ka shkruar Astrit Rraci.

Ai ka thënë se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës ka dështuar ta hetojë rastin e vrasjes së babait të tij.

“Deri më tani prokuroria, hetuesia dhe drejtësia e Republikës së Kosovës ka dështuar të nxjerrin para gjyqit urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimit. Shteti i Kosovës madje ka dështuar që së paku ta trajtojë rastin si atentat ndaj një zyrtari të saj. Të ju kujtoj, baba në momentin e vrasjes ka qenë duke shkuar në punë. Ai kishte pak kohë që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Klinës, si bartës i listës nga ana e LDK-së, kryetar shumëvjeçar i Degës dhe anëtar i Këshillit Qendror të saj”, ka shtuar ai.

Duke marrë për bazë se edhe LDK-ja ka qenë në pushtet për disa mandate, Astriti në mënyrë indirekte e ka akuzuar se nuk ka bërë aq sa duhet për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Deri më tani kanë kaluar shumë qeveri e parlamente me përberje të ndryshme partiake, edhe përkundër faktit që asnjë vrasje politike nuk është zbardhur, kurrë nuk ka pasur as edhe ndonji masë për të thirrë së paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për jo efikasitet. Ndoshta edhe mund të pajtohemi se një apo dy vrasje mund të mbesin të pa ndriçuara, por jo të gjitha?!”, ka përfunduar ai./Insajderi.com