Ditët me borë në Alpe – çdo dhjetë vjet, gati 9 ditë më pak

Ditët me borë në Alpe – çdo dhjetë vjet, gati 9 ditë më pak

Shumë më pak borë në Alpe se para 40 vjetëve, madje numri i ditëve me borë po reduktohet vazhdimisht, sidomos për shkak të shkrirjes së hershme të borës në pranverë, thuhet në një studim nga shkencëtarët zviceranë, rezultate të cilat janë publikuar në revistën „Climatic Change Journal“, përcjell albinfo.ch.

Sezoni dimëror është shumë më i shkurtër se sa ishte katër dekada më herët dhe kjo është shqetësuese për disa vendpushime të skive dhe hotele në vende si Shën Anton, të cilët kanë frikë se nuk do të jenë në gjendje për të garantuar se do të ketë borë edhe në pranverë.

Studimi nga shkencëtarët zviceranë është bazuar në të dhënat zyrtare të reshjeve të borës në vjeshtë, dimër dhe pranverë. Bëhet fjalë për reshjet e borës në 45 vjetët e fundit dhe të dhënat i kanë marrë nga Instituti Zviceran Meteorologjik. U zbulua se në Zvicër numri i ditëve me borë ka rënë në krahasim me vitet 1970-a. Gjendja është e ngjashme me vendet fqinje që janë të prekura edhe nga ndryshimi i klimës.

Studimi ka analizuar situatën me borë në shumë vende në Zvicër dhe në vendet fqinje, në lartësi të ndryshme, nga viti 1970 deri në vitin 2015.

Numri i ditëve me borë në Alpe mesatarisht çdo dhjetë vjet është reduktuar me 8/9 ditë, tregoi studimi. Përveç kësaj, bora e parë bie mesatarisht 12 ditë më vonë se në vitin 1970 dhe shkrihet 25 ditë më herët, që do të thotë se sezoni për ski është shkurtuar gjithnjë e më shumë.

Kjo është një befasi për shkencëtarët, të cilët monitorojnë ndryshimet klimatike në male, për shkak se deri kohët e fundit u mendua se shpatet e skive të lartësi të mëdha nuk janë të rrezikuara.