Ditëlindja e parë pa Dritëro Agollin, botohen dy libra të rinj

Ditëlindja e parë pa Dritëro Agollin, botohen dy libra të rinj

Ditëlindja e Dritëro Agollit do të festohet sot për herë të parë pa praninë e tij fizike. Shkrimtari ndërroi jetë në 3 shkurtin e këtij viti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Ditëlindja e shkrimtarit të madh këtë vit nuk do të jetë e lehtë të konceptohet me mungesën e tij.

Ndaj familjarët, miqtë dhe adhuruesit e shkrimtarit kanë përgatitur surpriza pa fund për këtë ditëlindje, shkruan KultPlus.

E bija Elona Agolli dhe bashkëshortja Sadija, që nga dita kur Dritëro Agolli ndërroi jetë kanë kërkuar në raft të librave gjurmët e mendjes e të shpirtit të tij. Pikërisht aty ku është edhe një poezi sugjestionuese e shkrimtarit.

“Po kur te jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Atje do të jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronje
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje”

Dritëroi vërtetë ka zbritur sërish nga raftet. E bija Elona ka gjetur materiale të mjaftueshme për të botuar në këtë ditëlindje dy libra të rinj të tij. Librat janë plotësim i një amanet të fshehtë të Dritëroit, thotë ajo. Ndërsa bashkëshortja Sadija ka pohuar se raftet e Dritëro Agollit kanë ende dorëshkrime të pabotuara.

Librat e rinj të botuar në ditën e lindjes së Dritëro Agollit janë “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe një libër me Aforizma. Për shkrimtarin e madh sot do të mbahet edhe një aktivitet përkujtimor.

Muzeu Historik Kombëtar ka organizuar një takim të veçantë që do të mbahet në nder të shkrimtarit, poetit të madh shqiptar, Dritëro Agolli. Do të jetë një pasdite tingujsh, poezish dhe promovimesh mes të gjithë dashamirësve të penës së Dritëroit të madh. Takimi mbahet sot në ora 19:00, në Muzeun Historik Kombëtar.