Dita e parë e mësimit nisë me leksione për Shën Terezën

Shkollat fillore dhe të mesme sot nisin vitin e ri shkollor 2016/2017. Ora e parë është paraparë që t’i kushtohet Nënës Terezë, e cila dje mori epitetin Shën Tereza.

Dita e parë e mësimit nisë me leksione për Shën Terezën

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2016/17, njofton të gjitha institucionet shkollore të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës që ditën e parë të mësimit, ora e parë t’i kushtohet shenjtërimit të Nënës Terezë.

“Ministria e Arsimit u uron të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve fillimin e vitit të ri shkollor 2016 -2017, njëherësh njofton se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Shenjtërimi i Nënës Terezë, në shenjë mirënjohjeje të veprës dhe përkushtimit të saj misionar, shpirtëror e human gjatë gjithë jetës në ndihmë të të varfërve në gjithë globin, u bë dje në Selinë e Vatikanit nga ana e Shkëlqesisë së tij, Papa Françeskut./lajmi.net.