Disa prej arsyeve pse Albin Kurti dhe Vetëvendosje pësuan mbrëmë debakël

Albin Kurti, para pesë ditësh, kishte bërë një thirrje në Gjakovë. “Këta që i kemi mundur me 11 qershor, mos na i ktheni me 22 tetor”, ishte porosia e Kurtit, e cila nuk u dëgjua nga kosovarët. Por, cilat janë arsyet që nuk u dëgjua thirrja e Kurtit?

Disa prej arsyeve pse Albin Kurti dhe Vetëvendosje pësuan mbrëmë debakël

I shquar për rima gjatë fushatës në zgjedhjet lokale, Albin Kurti nuk ia doli të rimojë atë çka është më e rëndësishmja. Rezultati i zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit dhe rezultati i djeshëm i zgjedhjeve lokale nuk rimojnë mes vete. Ndryshojnë shumë.

Gjersa mbrëmjen e 11 qershorit Kurti doli politikani më i votuar dhe Vetëvendosja u konfirmua partia më e madhe, në zgjedhjet lokale doli e treta. Kurti nuk kishte arsye që mbrëmë të shfaqej duke festuar si mbrëmjen e 11 qershorit. Ai është zhdukur që nga mbrëmë.

Para pesë ditësh ai kishte bërë një thirrje në Gjakovë.

“Këta që i kemi mundur me 11 qershor, mos na i ktheni me 22 tetor”, ishte porosia e Kurtit, e cila nuk u dëgjua nga kosovarët.

LDK-ja, të cilën e kishte mposhtur VV-ja në qershor, tash është konfirmuar si më e votuara. Pas saj është PDK-ja. VV-ja doli e treta e ndjekur nga AAK-ja e Haradinajt, e cila ka një përparësi ndaj VV-së. Ka fituar komuna pa balotazh, derisa VV-ja nuk e ka asnjë të sigurt. Tash është partia e tretë më e votuar, derisa për pesë muaj mbajti fronin e partisë më të votuar në vend.

Por, cilat janë arsyet që nuk u dëgjua thirrja e Kurtit?

Mund të jenë disa. Mirëpo, sot, një ditë pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, askush nuk mund t’i di të gjitha arsyet se pse  Vetevëvendosje e mori teposhtëzën.

Ajo që dihet publikisht është që “Vetëvendosje” u rrëzua nga euforia e saj. Rrugëtimi pesëmuajsh i saj të sjellë në mendje rastet kur atletët që kryesojnë garën rrezohen para se të arrijnë cakun. Është fakt i pakontestueshëm që Vetëvendosje nuk pati kondicion që të arrijë finishin.

Nga euforia, vrapoi më shpejt sesa që mundet, dhe në mungesë kondicioni u rrëzua para se të mbërrijë në cak. Derisa sportistët marrin kondicion duke ushtruar me muaj të tërë, “kondicion” i partive janë njerëzit të cilët garojnë në zgjedhje.

Vetëvendosje, ose nuk pati, ose nga arroganca kandidoi njerëz joadekuat për kryetarë komunash. Këtë mund ta di vetëm Kurti dhe udhëheqësit tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Krahasimi i rezultateve të djeshme nuk duhet të bëhet me rezultatet e vitit 2013. Ky është gabim në analizë krahasuese. Duhet të bëhet me rezultatet e qershorit të këtij viti.

E, kur krahasimi adekuat bëhet me qershor arrijmë tek ky epilog: Secila prej partive-PDK, LDK, AAK kanë fituar komuna pa balotazh. Vetëm Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë pa balotazh. Dhe ky quhet debakël. Të rralla janë rastet në botë kur subjekti që është konfirmuar si më i votuar në vend nuk arrin të fitojë asnjë komunë pa balotazh.

Por, cilat janë arsyet që ndikuan në këtë dështim?

Njëra prej arsyeve të tëposhtëzës së këtij subjekti politik është kandidimi i njerëzve që asociojnë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ishte e pritshme dhe ashtu ndodhi. Kandidati i VV-së në Shtime, Ruzhdi Jashari, pësoi debakël. Shtimjanët votuan Naim Ismajlin që përfaqëson zyrtarisht PDK-në e jo Jasharin që asocion jo zyrtarisht me PDK-në, por vetëm zyrtarisht Vetëvendosjen. Përveç kësaj, Jashari i mbështetur nga PDK-ja ishte emëruar në krye të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. E kishte udhëhequr pikërisht në mënyrën të cilën VV-ja e kritikon shumë: në stilin Pronto, duke kërkuar fshehjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Ishte e pritshme dhe ashtu ndodhi. Rritjen e madhe në Gjilan e goditi kandidimi i Sami Kurteshit – një i mbështetur nga PDK-ja për të udhëhequr institucionin e Avokatit të Popullit.

Ishte e pritshme dhe ashtu ndodhi. Vetëvendosje e mandatoi Visar Korenicën për të garuar për kreun e Rahovecit. Korenica që bëri bujë në publik me kërkesën e tij për të zhbërë Izraelin, nuk pati përkrahje të madhe nga krerët e VV-së. Madje, kryetari Visar Ymeri u distancua nga gjuha e tij, duke e vlerësuar si të papranueshme. Është ironike kur në garë për kryetar komune është njëri, gjuha e të cilit është e papranueshme për udhëheqësit e subjektit politik.

Ishte e pritshme dhe ashtu ndodhi. Vetevendosje rikandidoi për të tretën herë Faton Topallin për kryetar të Ferizajit. Ai humbi për herë të tretë.Rikandidimi i një kandidati që ka humbur dy herë garën është normale që shkakton pakënaqësi tek elektorati në këtë komunë. Po ashtu, kandidimi i këtyre katër vetave ka shkaktuar pakënaqësi edhe në komunat tjera të Kosovës.

Nuk janë vetëm këta katër, por edhe shumë kandidat tjerë me të cilët ishin të pakënaqur votuesit. Vetëvendosje duke u bazuar në arrogancën e numrave nuk i dha hapësirë njerëzve me të cilët identifikohet Vetëvendosje.

Djem e vajza që mendojnë si Qëndron Kastrati i Kamenicës u lanë anash në shumë komuna tjera. Kastrati prinë në Kamenicë dhe nëpërmjet balotazhin synon ta marrë kreun e Kamenicës.

Ngjashëm, do të kishin synuar edhe politikanët e gjeneratës së re të mendimit në Gjilan, Shtime e Rahovec. Por, Vetëvendosje nuk ua dha këtë mundësi.