Dina mund të jetë dëshmitar në gjykimin e Sami Lushtakut

09.11.2017 11:23
Dina mund të jetë dëshmitar në gjykimin e Sami Lushtakut

Ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuarit e tjerë, sërish janë deklaruar të pafajshëm për akuzat në rastin e tenderit gjashtë milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Danilo Ceccarelli, ka deklaruar se e sheh si dëshmitar të mundshëm në këtë proces gjyqësor, kryesuesin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Blerim Dina.

Një mundësi të tillë, prokurori e ka mbështetur, në raportimet në media, se Dina është kontaktuar nga Sami Lushtaku, kinse për të diskutuar për një tender me vlerë prej 21 milionë euro.

Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, sipas prokurorit, kjo e konfirmon aktakuzën ndaj Sami  Lushtakut, pasi thotë se modeli i sjelljes është shumë i ngjashëm në rastin më të fundit dhe për veprën penale që Lushtaku akuzohet në rastin e KEK-ut.

Kurse, ka kërkuar që për dëshmitarin Richard Orsmond, që është ekspert ndërkombëtar dhe vëzhgues gjatë procedurës së tenderit, që konsiderohet dëshmitar me shumë rëndësi, të lëshohet kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, që i njëjti, sipas tij, ta jep dëshminë përmes videolinkut, pasi nuk jeton në Kosovë.

Por, mundësinë që Dina të thirret si dëshmitar, e ka kundërshtuar mbrojtësi i Sami Lushtakut, avokati Arianit Koci, i cili gjithashtu ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit që provat të konsiderohen të lexuara.

“Sa i përket propozimit që si dëshmitar të ftohet Blerim Dina, kundërshtojmë fuqishëm. Në fakt me këtë propozim, prokuroria po tregon që nuk ka pasur fare prova ta ngrit aktakuzën kundër Lushtakut dhe tani po bon përpjekje të dështuara që me çdo kusht ta provojë kinse një përgjegjësi penale të Lushtakut. Është bërë propozim për provë të re që nuk ka relevancë në këtë proces gjyqësor, është e pakuptimtë”, ka deklaruar Koci.

Por, mundësinë që Dina të thirret si dëshmitar, e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arben Gjukaj, avokati Ramë Gashi.

Ndërsa, avokati Artan Çerkini, mbrojtës i Milazim Lushtakut, ka deklaruar se për dëgjimin e dëshmitarit Blerim Dina, dihet që në këtë rast është hapur hetimi dhe procedura është në vazhdim dhe thirrja e tij si dëshmitar në këtë proces, sipas tij, do të konsiderohej ndërhyrje në procedurën tjetër që është në zhvillim e sipër dhe ai thotë se Lushtaku nuk është marr i pandehur në atë procedurë.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka deklaruar se do të dëgjohen të gjitha palët dhe pasi të bëhet vlerësimi, do të merret vendimi.

Seanca është ende duke vazhduar.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave, përkatësisht më 12 tetor 2016.

Në seancat që ishin zhvilluar para një trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Vladimir Mikula, nga radhët e EULEX-it, akuzën e kishte përfaqësuar prokurori Paul Flynn.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimipërdrejtësi