Dikush pagoi 55 euro të tjerët hynë pa pagesë – si dështoi natën e tretë SunnyHill

Dikush pagoi 55 euro të tjerët hynë pa pagesë – si dështoi natën e tretë SunnyHill

Gazetari Butrint Pasjaqa, i cili përcolli nga afër Festivalin SunnyHill, ka ndarë momente të dështimit të këtij organizimi.

Ai përmes një shkrimi të gjatë, ka paraqitur disa elemente që dëshmojnë organizimin e dobët të këtij festivali.

Në natën e tretë në këtë Festival, kanë hyrë njerëz që nuk kanë paguar fare bileta, duke u bërë kështu padrejtësi atyre që për ndjekjen e tij kishin dhënë shuma të mëdha të parave, nga 55 euro. Ai e ka quajtur të padrejtë këtë veprim të organizatorëve, duke thënë se nga ky festival, do të mbajë mend vetëm lodhje, torture, keqtrajtim dhe asgjë të bukur.

“Nata e tretë ishte kulmi! Unë shkoj pas orës 12 të mesnatës dhe shoh që në hyrje të festivalit nuk ka asnjë njeri nga kontrolla që bëhej më parë. Pashë që u futën edhe njerëz pa bileta pa asnjë lloj problemi! Si është e drejtë që dikush të paguajë 55 euro e dikush të futet pas orës 12 pa pagesë dhe të ketë mundësi që ta dëgjoj direkt Martin Garrix, pa pritur me orë të tëra? Këtë përgjigje mund ta japin vetëm “SunnyHill”, ku nga ky festival si gazetar mbaj mend vetëm lodhje, torture, keqtrajtim dhe asgjë të bukur!”, ka shkruar Pasjaqa.

Shkrimi i plotë Butrint Pasjaqës

Ka kohë që të gjithë po e prisnin një festival me përmasa botërore të ndodhte në Prishtinë.

Datat 10, 11 dhe 12 gusht ishin rezervuar për “SunnyHillFestival” ku do të perfomonin Dua Lipa, Action Bronson, Martin Garrix e shumë artistë tjerë të huaj dhe vendor.

Gjithçka dukej për mrekulli derisa u desh të përballemi “live” me disa nga organizatorët e këtij festivali.

Si fillim në ëebfaqen e festivalit ishte hapur aplikimi për akreditim të mediave, që nënkupton akreditim për festival, ku bën pjesë edhe konferenca.

Unë kam aplikuar me kohë bashkë me kameramanin e emisionit “Mirage”, ndërsa pak ditë para konferencës, na japin edhe akreditimet, por vetëm për konferencën e Dua Lipës e cila u mbajt më 08.08.2018.

Aplikimi për festival ishte bërë me kohë, ndërsa vetëm dy ditë para festivalit, Trëndelina Bucolli, përgjegjëse për media, thotë se këto akreditime që keni marrë janë vetëm për konferencë dhe jo për festival!

Në pyetjen time drejtuar asaj pak para se të fillojë konferenca lidhur me akreditimin për festival, ajo thotë se nuk ke aplikuar për festival por vetëm për konferencë, madje sot je shumë vonë!

Pas kësaj unë i drejtohem duke i thënë se ku ka qenë linku që mund të aplikonim për festival, (pasi kishte dale vetëm një link për të aplikuar mediat) dhe pas disa debateve rreth kësaj gjëje ajo thotë se nuk ka pasur link, por i kemi zgjedhur vet ne mediat!

Kjo është padrejtësia e parë ndaj mediave, sepse Trëndelina Bucolli u mundua të arsyetohet për mosakreditim, derisa e tha të vërtetën e hidhur, me një komunikim shumë të ulët.

Pas disa e-mailave ku unë i drejtohem se më duhet akreditimi për festival dhe i kameramanit dhe i tregoj që një person tjetër më lart se ajo tha që mund të xhirojmë 40 minuta, Trëndelina Bucolli më kërcënon duke thënë se mos më detyro të bëj kërkesë për të të hequr akreditimin edhe ty!, duke treguar joprofesionalizem maskimal!

Pas debatit me të, unë takoj një person tjetër më me peshë në festival, sesa një përgjegjëse (e papërgjegjshme) mediash dhe ai me thotë me shumë mirësjellje se jemi në rregull do të kesh dy akreditime për festival, por do të xhironi vetëm para performancave, 40 minuta dhe gjithçka ishte në rregull deri këtu.

Gabimi më i madh në këtë pjesë, del të jetë mes personave brenda “SunnyHill” të cilët nuk japin informacionet dhe qendrimet e njejta lidhur me gjithçka rreth festivalit.

Trëndelina thotë që nuk guxoni të xhironi në festival e as të futeni live në konferencë, ky tjetri thotë vetëm 40 minuta duhet të xhironi në festival dhe kulmi ishte rasti tjetër në konferencë!

Unë para se të fillojë konferenca pyes një vajzë nga “SunnyHill” se a mundemi të hyjmë live apo jo, ajo reagon menjëherë me shumë frikë (nga të mëdhenjtë) se jo nuk guxon fare dhe unë i them ok dhe nuk futem.

Sapo fillon konferenca, unë isha i ulur në fund dhe i pashë 4 ose 5 gazetarë që ishin futur live, ndërkohë që Trëndelina ishte prezente dhe nuk tha asnjë fjalë.

Edhe ajo vajza tjetër që ishte pjesë e stafit të “SunnyHill” që më tha jo, ishte ulur afër meje dhe i thash “A po e sheh që kanë hy live?” dhe ajo ma kthen me një fytyrë të dëshpëruar pa thënë asnjë fjalë! Dhe në atë moment edhe unë futem live, pasi kjo gjë nga ata ishte thënë sa për sy e faqe.

Konferencat tjera nuk i kam përcjellë për shkak të sjelljes arrogante nga ana e disa organizatorëve të këtij festivali.

Kalojmë tek koncerti në Gërmi ku edhe atje kishte parregullsi, duke filluar nga pjesa që si përfundim nuk i dhanë akreditim kameramanit tim, por shkova vetëm unë.

Lidhëset e dorës ishin disa ngjyrëshe varësisht nga vendi. Të gjithë ata që kishin paguar biletë REGULAR kishin lidhësen ngjyrë të kuqe. Ndërsa pjesa VIP, ku ishin sponsorët kishin ngjyra të tjera.

Unë si gazetar kisha atë REGULAR të kuqe, por në anën tjetër kisha edhe ‘bexhin’ PRESS me 2 vula, nga “Republika” e “Sunnyhill”, por që këto vula siç duket ishin vetëm sa për sy e faqe.

Përveç pjesës poshtë ku ishte turma e njerëzve, gazetarët nuk u lejuan në asnjë pjesë tjetër më lart, që të kryenin punën e tyre me raportim, apo edhe nga backstage.

Gjithsesi, edhepse kishte shumë kontrolla, problemi më i madh ishte që asnjë nga ata nuk kishin të njëjtin vendim nga “SunnyHill” që të lejohen mediat apo jo në pjesë të caktuara.

Dikush thoshte po vazhdo, pastaj tjetri jo nuk lejohen, madje kur arrita deri në backstage (me shumë mundime) del njëri dhe thotë “Këta me të kuqe mos e leni asnjo me hy ktu” pa marrë parasysh që kisha akreditim, kjo gjë për ta nuk vlente fare.

Gjithsesi unë arrita të futem në backstage, pasi ishin të vetmit Policia e Kosovës që respektuan bexhin tim.

Pjesa tjetër më shumë problem ishte arritja tek pjesa “VIP” ku një vajzë e stafit përsëri tha që nëse ke vulen e REPUBLIKES mund ta vish ktu, unë e kisha, dhe ai ‘tipi’ poshtë që punonte sigurim nuk më lejonte!

Në atë moment unë shoh një person që e kam pjesë të shoqërisë dhe më merr lart, kështu duke lëshuar pe sigurimi poshtë edhepse nuk kisha lidhësen me ngjyrë vjollcë!

Nga kjo del që nëse “ ke të njofshëm” arrin edhe deri në skenë dhe I bie që organizimi në këtë festival nuk është aspak serioz.Pervec meje, te pjesa lart VIP jane futur edhe gjithe shoqeria e atyre qe ishin pjese e “SunnyHill”, me apo pa lidhese ngjyre vjollce.

Por nuk përfundon me kaq!

Duke ecur lart para se të futeshe tek pjesa e festivalit, unë shoh tre djemë të rinjë të cilët vijnë nga mali i Gërmisë duke mos kaluar nga kontrolla tek pishina dhe pa bileta.

Po të njejtit i shoh më vonë shumë afër skenës ku performonte Dua Lipa!

Nata e dytë ishte me po të njejtat sakrifica deri në backstage, por fatmirësisht takoj njerëz që i njoh dhe nuk e kam fare problem!

Problemi atë natë ishte dështimi i tre artistëve që nuk erdhën dhe me këtë rast u vonuan dhe të gjitha performancat që ishin parashikuar të fillonin në ora 17:00 dhe nisi rreth orës 19:00!

Përveç kësaj, në një moment tjetër dikush hodhi një lloj gazi që na kapi kollitje të gjithëve në backstage dhe pjesa e parë e publikut.

Ambulanca u aktivizua derisa nga publiku vinin vajza të reja të cilat ishin alivanosur nga gazi dhe u drejtuan për në makinën e ndihmës së shpejtë.

Nata e tretë ishte kulmi!

Unë shkoj pas orës 12 të mesnatës dhe shoh që në hyrje të festivalit nuk ka asnjë njeri nga kontrolla që bëhej më parë.

Pashë që u futën edhe njerëz pa bileta pa asnjë lloj problemi!

Si është e drejtë që dikush të paguajë 55 euro e dikush të futet pas orës 12 pa pagesë dhe të ketë mundësi që ta dëgjoj direkt Martin Garrix, pa pritur me orë të tëra?

Këtë përgjigje mund ta japin vetëm “SunnyHill”, ku nga ky festival si gazetar mbaj mend vetëm lodhje, torture, keqtrajtim dhe asgjë të bukur!