Dikur qante për Haradinajn, sot e quan figurë të Prontos

Dikur qante për Haradinajn, sot e quan figurë të Prontos

Kur Donika Kadaj-Bujupi u pyet të hënën se çfarë mendimi ka për kandidatin për kryeministër të koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, tha se i është bashkuar “klanit Pronto”.

Kadaj-Bujupi, e cila e kishte shef për vite me radhë Haradinajn tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se është problem koncepti të cilit i është bashkuar ish-kryeministri i Kosovës.

“Mendoj se është tepër problem koncepti politik në të cilin ai garon. Në një qeverisje eventuale me PDK-në, flasim për një koncept të klanit Pronto, një koncept që ka bërë shumë dëme. Ky nuk ka qenë një bashkim për koncept politik”, ka thënë anëtarja e Vetëvendosjes në një intervistë me RTV Dukagjinin.

“Së pari dua të them se dy subjektet e mëdha nuk kanë nominuar kandidatë për kryeministra. Kisha me thanë që këto janë dy figura anësore”, deklaroi ajo.

Por, Donika Kadaj-Bujupi, sa ishte pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, fliste me aq nostalgji për Haradinajn, sa edhe ka pasur momente kur qante për të.

Kur Ramush Haradinaj ishte liruar nga Tribunali i Hagës, ishte Donika Kadaj-Bujupi e cila nuk mund t’i përmbante lotët nga gëzimi.

Tani, Kadaj-Bujupi dhe Haradinaj kanë ndarë rrugët, dhe për herë të parë do të jenë kundërshtarë në zgjedhje parlamentare në Kosovë.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 qershor. /Insajderi.com