Diferenca e votave mes “Deputetëve të Pavarur” dhe VV – Lëvizja parti e tretë parlamentare

Nga formimi i Grupit Parlamentar "Grupi i Deputetëve të Pavarur" Lëvizja Vetëvendosje ka humbur 242 mijë e 130 vota, nga 585 mijë e 666 vota që kishin fituar deputetët e zgjedhur me Lëvizjen Vetëvendosje, në Zgjedhjet Parlamentare të qershorit.

Diferenca e votave mes “Deputetëve të Pavarur” dhe VV – Lëvizja parti e tretë parlamentare

Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar humbje të mëdha të votave nga 12 deputetët e dorëhequr nga subjekti, të cilat kanë formuar sot një grup të ri parlamentar. “Grupi i Deputetëve të Pavarur” quhet grupi i formuar sot nga Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj. Shef i këtij Grupi Parlamentar është zgjedhur Dardan Sejdiu.

Nga formimi i Grupit Parlamentar “Grupi i Deputetëve të Pavarur” Lëvizja Vetëvendosje ka humbur 242 mijë e 130 vota, nga 585 mijë e 666 vota që kishin fituar deputetët e zgjedhur me Lëvizjen Vetëvendosje, në Zgjedhjet Parlamentare të qershorit.

Por, Vetëvendosje ka humbur edhe 15,886 vota nga largimi i deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e cila kaloi prej subjektit që udhëhiqet nga Albin Kurti tek subjekti i kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Pas largimit të Kadaj-Bujupit ka mbetur me vetëm 327 mijë e 65 vota, me rreth 258 mijë vota më pak sesa kishte fituar në Zgjedhjet Parlamentare të 11 qershorit.

12 deputetët që janë pjesë e “Grupit të Deputetëve të Pavarur” janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

Ndërkaq, Grupi Parlamentar i Dardan Molliqajt e Visar Ymerit kanë 242 mijë e 130 vota, të cilat i kishin fituar 12 deputetët që kishin garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Online Insajderi.

Pesë prej këtyre deputetëve të ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje – tashmë pjesë e grupit të “Deputetëve të Pavarur” – kishin qenë ndër dhjetë personat më të votuar nga lista e Lëvizjes në Zgjedhjet Parlamentare.

Me largimin e këtyre deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje ka humbur primatin e partisë së parë parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës tash kalon në pozitën e parë si partia më e madhe në kuvend, me gjithsej 27 deputetë. Pas saj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 23 deputetë e më pas Lëvizja Vetëvendosje me 19.

I zgjedhuri shef i Grupit Parlamentar të 12 deputetëve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, deklaroi sot se dallimi më i madh mes tyre dhe Lëvizjes Vetëvendosjes, është politikbërja në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për shtyp brenda Kuvendit të Kosovës, Sejdiu u shpreh se “rruga me të cilën ne duam të ecim përpara, dallon nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sa i përket mishërimit të idesë social-demokrate, nuk ka ndonjë dallim këtu. Në fakt, dallimi ka të bëjë me rrugën në të cilën ne duam të ecim përpara: politikbërjen në Kuvend. Ajo që kemi parë edhe në Kuvend, në këtë legjislaturë; kemi trajtuar tema populiste, por ne kemi nevojë të trajtojmë tema progresive”, tha Sejdiu.

Po ashtu, Sejdiu tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia lejon deputetëve që të formojnë Grup Parlamentar.

“Mendoj se kushtetuta e Kosovës e përcakton këtë më së miri. Kur dikush zgjedhet deputet, ai zgjedhet deputet i Kuvendit e jo vetëm i një subjekti”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se deri më tash asnjë prej këtyre deputetëve nuk ka shprehur, me shkrim apo me gojë, ndonjë ide apo qëndrim politik të ndryshëm nga idetë dhe qëndrimet e Lëvizjes.

Përmes një postimi në Facebook Vetëvendosje ka thënë se, “turpi do të mbetet me ata që nuk e kuptuan përgjegjësinë e tyre historike dhe e vendosën veten mbi synimet politike e ideore”. /Insajderi.com