Diego Simeone shkurton kontratën e tij me Atleticon

Diego Simeone shkurton kontratën e tij me Atleticon

Diego Simeone dhe Atletico Madrid arritën një akord për reduktimin e kohëzgjatjes së kontratës mes tyre. Trajneri argjentinas kishte nënshkruar një marrëveshje me “Los Colchoneros” për qëndrimin në kryeqytetin spanjoll deri në vitin 2020, por me këtë akord të ri, kontrata e tij do të jetë e gjatë deri në vitin 2018.

Nuk është diçka e zakonshme në futboll që të reduktohet kohëzgjatja e një kontrate të firmosur. Por, ky vendim i përbashkët duket se është ndërmarrë për shkak të dyshimeve të teknikut në lidhje me vazhdimësinë e tij në drejtimin e Atleticos pas finales së Ligës së Kampioneve, edhe pse në publik ato janë mohuar nga të gjithë.

Në mars të vitit 2015, Simeone dhe drejtuesit e Atleticos arritën akordin për zgjatjen e kontratës që skadonte në vitin 2017, një kontratë që solli edhe rinovimin e futbollistëve aktualë të skuadrës. Por, humbja në finalen e Ligës së Kampioneve i ndryshoi gjërat. Goditja ishte shumë e rëndë për Simeonen dhe dyshimet u shtuan ndjeshëm, aq sa futbollistët gjatë pushimeve të verës e telefononin për të mësuar se çfarë do të bënte.

Ndërkohë, Natalia Simeone, motra e njëkohësisht agjentja e trajnerit, po studionte ofertat e ardhura për të, ku ai që e kërkoi më shumë ishte Paris Saint Germain, që ishte gati ta shndërronte atë në trajnerin më të paguar në botë. Në fund, Simeone vendosi të qëndrojë te Atletico pas një bisede me drejtuesit e klubit, por ndryshoi datën e skadencës së kontratës së re, shkruan tch. Kjo do të thotë se sezoni 2017/2018 do të jetë i pari për Atleticon në stadiumin e ri dhe i fundit me Simeonen në pankinë.