Diaspora “Një lule për Jasharët”

Diaspora “Një lule për Jasharët”

Aktiviteti tradicional “Ditët e Diasporës” do të fillojë sot në fshatin Prekaz të Drenicës, në vendlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Organizatorja e këtij manifestimi, Ministria e Diasporës, nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se manifestimi do të fillojë me aktivitetin e quajtur  “Një lule për Jasharët”,  ku do të bëhen homazhe në varrezat e familjes Jashari.

Po në Prekaz, pas homazheve do të mbahet një koncert me orkestrën  “Spartiti për Scutari” arbëresh nga Italia, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova.

Aktiviteti “Ditët e Diasporës” do të vazhdojë edhe të martën nesër ku në  Muzeun Etnologjik të Kosovës “Emin Gjiku” ndahen çmimet “Mërgimtari i Vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Diasporës, të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë personalitete të jetës politike, kulturore dhe sportive nga Kosova, Shqipëria dhe Diaspora.