“Dialogu drejt dështimit” – Hoxhaj i reagon ashpër Daçiqit

“Dialogu drejt dështimit” – Hoxhaj i reagon ashpër Daçiqit

Deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj i ka reaguar kryediplomatit serb Ivica Daçiq, për komentet që ministri serb i ka dhënë sot në lidhje me shtetin e Kosovës.

Daçiq deklaroi sot se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se politikanët kosovarë kërkojnë njohjen e shtetit më të ri evropian. Kryediplomati serb tha se “nuk do të ndodhë kurrë” njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

E Hoxhaj përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se nëse nuk arrihet njohja e Kosovës nga ana e shtetit serb përmes dialogut, atëherë ky dialog do të cilësohej i dështuar, raporton Insajderi.

“Për ministrin e Jashtëm të Serbisë Daçiq: Nëse dialogu nuk ka të bëjë me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, do të ishte i barabartë me dështim. Dhe nëse Serbia vazhdimisht lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, çfarë normalizimi po arrijmë?”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shërbyer për disa vite si ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, derisa javën e kaluar është larguar nga posti i kryediplomatit pasi u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës. /Insajderi.com