Di Leillo: Ish-komandanti i KFOR-it i quante kriminelë Lahi Brahimajn dhe Nuredin Lushtakun

Di Leillo: Ish-komandanti i KFOR-it i quante kriminelë Lahi Brahimajn dhe Nuredin Lushtakun

Anna Di Leillo – ish-zyrtare e UNMIK-ut, ka rrëfyer disa momente gjatë kohës sa ajo punonte në këtë mision ndërkombëtar.

Ajo ka treguar për vitin 2003 kur në Kosovë u krijuan tensione ndëretnike, pas vrasjeve të disa serbëve që ndodhën në Lipjan e Obiliq.

Rrëfimi i saj nxjerrë detaje për ish-komandantin e KFOR-it pas këtyre trazirave, i cili i kishte quajtur kriminelë dhe terroristë Labi Brahimajn dhe Nuredin Lushtakun.

“Ajo që ishte e qartë atë kohë ishte se situata po keqësohej vërtet shumë, gjatë tërë vitit 2003. Në verë kanë ndodhur vrasje të serbëve të Lipjan, Obiliq… pra ka pasur përkeqësim të situatës. Gjithashtu në verë, dhe ndoshta njerëzit kanë harruar, por gjenerali Fabio Mini, që ishte komandant i KFOR-it, gjenerali italian, kishte akuzuar dhe donte të largonte nga detyra lidershipin kryesor të TMK-së, përfshirë njerëzit si Nuredin Lushtaku apo Lahi Brahimaj, të cilët i akuzonte se janë kriminelë dhe terroristë”, ka thënë ajo në një intervistë për emisionin ‘Zona Express’.

Por ajo thotë se këto akuza asnjëherë nuk u verifikuan nga ish-komandanti i KFOR-it, me arsyetimin se çështja ka të bëjë me sigurinë.

“Këto akuza asnjëherë nuk janë verifikuar dhe nuk jepej sqarim pasi gjenerali Mini thoshte derisa kjo çështje ka të bëjë me sigurinë, nuk mund të japë ndonjë dëshmi, ‘por ata janë terroristë’”, ka rrëfyer ish-zyrtarja e UNMIK-ut.

“Kjo ka qenë problem, pra krijoi shumë probleme brenda TMK-së. Më pas në muajin tetor 2003, ndodhën dy gjëra që vërtet rritën tensionet. Agim Çeku u paraburgos shkurtimisht në Slloveni, sipas një akuze përmes INPERPOL-it”, ka shtuar ajo.