Dhurata Hoxha: Kam tërhequr nenet kundër shpifjes dhe fyerjes

Dhurata Hoxha: Kam tërhequr nenet kundër shpifjes dhe fyerjes

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka urdhëruar largimin e dy neneve nga drafti për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal, atij për Shpifjet ndaj Shtetit dhe Simboleve të Shtetit si dhe Shpifja ndaj Organeve Kushtetuese.

Në një prononcim për Insajderi, ministra Hoxha ka thënë se faktor për heqjen e këtyre dy neneve nga drafti, kanë qenë edhe kundërshtimet e medieve dhe shoqërisë civile.

“Normal që të gjitha komentet që i kemi pranuar ne, kemi qenë të obliguar me i futë në draft mandej rrjedhën ato dy nene që janë marrë nga kodi penal i Gjermanisë. Normal që nuk bën të bëjmë asgjë pa konsensus. Nëse s’ka konsensus minimum në grup punues e le ma më gjerë, kështu që kam urdhëruar me i tërheq”, ka thënë ministrja Hoxha.

Më tej, Hoxha ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka dashur që të jetë transparente me punën rreth këtij drafti për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal.

“Kemi dashur të jemi transparent. Të gjitha komentet që i kemi pranuar i kemi fut në draft dhe mandej kuptohet që tash kundërshtimi është krejt tjetër çështje edhe ajo është një faktor kuptohet”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë.

Sipas ministres, këto dy nene nuk kanë qenë të parapara që të miratoheshin domosdosmërisht.

“E edhe nenet në fjalë kanë qenë si rezultat i draftit të parë, pra jo donosdoshmerisht do të ishin miratuar në grup punues. Në grup punues për shkak të transparencës dhe konsultimit të sa më tepër akterëve ka edhe anëtarë të shoqerise civile”, deklaroi Hoxha për Insajderin.

Drafti i Kodit Penal do të duhej që brenda dy javësh të merrte kritikat dhe propozime nga shoqëria civile, në mënyrë që të konsumoheshin të gjitha debatet e më pas të rikthehet në Ministri të Drejtësisë për t’u plotësuar para dërgimit në Kuvend.

Këto janë dy nenet që janë hequr nga drafti për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal.

Në draft-nenin 134, pika D “Shpifja ndaj Organeve Kushtetuese” thuhet: 1. Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

Në draft-nenin 134, pika C “Shpifja ndaj Shtetit dhe Simboleve Shtetërore” thuhet: Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:

1.1.            fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose

1.2.            fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.

Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bën të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës se Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.

Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite.

Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme. /Insajderi.com