Dhurata e veçantë e Kryeministrit për Ambasadorin amerikan

Dhurata e veçantë e Kryeministrit për Ambasadorin amerikan

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka folur sot për rëndësinë e nënshkrimit në Kongresin amerikan të Marrëveshjes për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova ka përfituar 49 milionë dollarë.

Delawie ka thënë se nënshkrimi në Uashington për herë të parë është bërë në Kongresin Amerikan, dhe kjo gjë ka një domethënie të madhe, pasi është përkrahur nga të gjitha partitë amerikane pa dallim.

“Me këtë marrëveshje vjen edhe përgjegjësi e madhe për Qeverinë e re të Kosovës, të zbatoj programin me efikasitet, transparencë dhe sigurisht me rezultate të mira”, ka thënë ambasadori, sipas një njoftimi nga Qeveria.

Delawie ka shtuar se programi në fjalë do të ndikojë direkt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ai i ka bërë këto komente në kuadër të një kokteji të mbajtur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për të kremtuar marrëveshjen për programin prej të cilit Kosova ka përfituar 49 milionë dollarë.

Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi, i ka dhuruar ambasadorit Delawie hartën e Kosovës, e punuar me gurët nga Trepça.