Dhjetë shkeljet e ligjit që bëri Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Dhjetë shkeljet e ligjit që bëri Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Gjatë vitit 2016, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur dhjetë raste kur në gjykatat e Kosovës disa persona kanë mbajtur pozita si Ushtrues të Detyrave më shumë se tre muaj, që vlerësohet si thyerje e Ligjit të Shërbimit Civil.

Siç njofton Auditori Gjeneral në raportin e përpiluar për vitin 2016, sipas Ligjit të Shërbimit civil Nr.03/L-149 neni 30, në rast se mbetet ndonjë pozitë e lirë në shërbimin civil, Ushtruesi i Detyrës nuk mund të ushtrojë aktivitetin më gjatë se tre muaj.

“Nga ekzaminimet tona në SKGJK dhe disa Gjykata Themelore (Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë) kemi vërejtur dhjetë (10) raste të pozitave me U.D. të cilat kanë tejkaluar afatin ligjor”, njofton Auditori Gjeneral.

Në SKGJK janë tri raste me Ushtrues Detyre: Drejtori i departamentit për buxhet dhe financa nga muaji shtator 2014; Drejtori i Zyrës së Evidencës Penale nga muaji korrik 2015; Zyrtarja e lartë në njësinë e evidencës penale në SKGJK nga dhjetori 2015, njofton Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj janë katër (4) raste me Ushtrues Detyre: Zyrtari i shpenzimeve, Zyrtari Çertifikues dhe Zyrtari i personelit nga muaji dhjetor 2015 dhe Shefi i zyrës për shërbime të përbashkëta nga muaji janar 2016.

Ndërsa në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë tri (3) raste me Ushtrues Detyre: Zyrtari Financiar dhe Zyrtari Çertifikues nga muaji dhjetor 2015, ndërsa Zyrtari Kryesor Financiar nga muaji janar 2016.

Sipas Auditorit Gjeneral, praktika e mbulimit të pozitave të lira me Ushtrues Detyre për më shumë sesa koha e caktuar me ligj, përbën rrezik për funksionimin e KGJK-së.

“Praktika e mbulimit të pozitave të lira me ushtrues detyre përfshirë këtu edhe pozita menaxheriale më tepër se tre (3) muaj përveç shmangies ligjore, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme. Kjo mund të ndikojë edhe në performancën e organizatës në
përgjithësi”, njofton Auditori Gjeneral. /Insajderi.com