Dhjetë ditë pasi bënë thirrje për kujdes në trafik, presidenti vetaksidentohet

Dhjetë ditë pasi bënë thirrje për kujdes në trafik, presidenti vetaksidentohet

Nuk ka shkuar ende gjysmë muaji kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte bërë apel tek qytetarët dhe institucionet përgjegjëse për kujdes në komunikacion. Këtë e thirrje e kishte bërë me qëllim të uljes së rrezikut të aksidenteve në komunikacion.

Apelin ndaj qytetarëve për kujdes e theu vetë presidenti, pasi sot eskorta e tij u përfshi në një aksident trafiku në fshatin Komoran të Drenasit.

Thirrjen për kujdes presidenti e kishte bërë pas aksidentit tragjik në magjistralen Suharekë – Duhël, i cili la të vdekur pesë anëtarët e familjes Sadikaj nga fshati Sopaj të Suharekës.

“Shumë e dhimbshme humbja e jetës së pesë anëtarëve të një familjeje, në mesin e tyre edhe fëmijë, sot në aksidentin tragjik në magjistralen Duhël-Suharekë. U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të afërmve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës. Është shumë shqetësues numri i aksidenteve në rrugët e Kosovës, prandaj kërkohet një kujdes më i madh, si prej qytetarëve, ashtu edhe prej institucioneve përgjegjëse, për uljen e rrezikut të aksidenteve të komunikacionit dhe të fataliteteve nga këto aksidente”, kishte shkruar Thaçi në facebook.

Aksidentin e sotëm në të cilën është përfshirë edhe eskorta e presidentit Thaçi e ka konfirmuar edhe presidenca.

“Eskorta e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është përfshirë në një aksident zingjirorë të komunikacionit në Komoran të Drenasit. Në këtë aksident, përveç dëmeve materiale, askush nuk është lënduar”, thuhet në njoftimin e presidencës. /Insajderi.com