Dhjetë arsye se pse kosovarët mund të fitojnë azilin në Gjermani

Kushdo që ia mësyn Gjermanisë për të kërkuar azil ka disa argumente se pse në Kosovë e ka të rrezikuar mirëqenien...

Dhjetë arsye se pse kosovarët mund të fitojnë azilin në Gjermani

Ai merr gjithë anëtarët e familjes dhe ia mësyn stacionit të autobusëve në Prishtinë. Pasi paguan biletat njëdrejtimëshe niset me autobus drejt Beogradit. Cak ka Gjermaninë. Aty do të kërkojë azil për vete dhe familjen.

Të njëjtin synim kanë edhe 65 persona tjerë në autobus. Duan të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë.

Në ora 5 të mëngjesit arrin në stacionin e autobusëve në Beograd. Me autobusët tjerë nisën drejt Suboticës. Taksitë e drejtuara prej trafikantëve serbë e hungarezë janë të gatshëm t’i shpien përtej kufirit në Hungari.

Pasi paguan nga 180 euro për secilin anëtar të familjes, arrin në Hungari. Një pjesë të rrugës e ka bërë me veturën e një pjesë në këmbë. Kah mesnata zë një tren për të arritur në qytetin më të afërm të Gjermanisë.

Pa fije hezitimi i dorëzohet autoriteteve gjermane dhe kërkon azil.

Pas disa ditësh në një kamp refugjatësh, ai del para autoriteteve për t’i dhënë arsyet se pse duhet t’i pranohet azili.

“Jam i rrezikuar në Kosovë unë dhe fëmijët e mi. Jam i papunë. Nuk kam kurrfarë të ardhurash. Fëmijët në shkollë kanë mësues disa njerëz të padijshëm që kanë blerë diploma. Kur sëmurën nuk kam ku t’i çojë te mjeku. Asnjë prej ilaçeve nuk mund t’i blejë”, nis arsyetimin ai.

“Kjo nuk është ma e keqja. Më e keqja është se këto ditë u krijua Qeveria e re. Kryeparlamentar është rizgjedhur Kadri Veseli, i cili për nëntë vjet rresht ka drejtuar një shërbim sekret në mënyrë të paligjshme. Raportet e ndryshme të publikuara në media thonë se shërbimi i tij ka kryer shumë krime, përfshirë vrasje” – vazhdon rrëfimin ai.

“Kryeministër i Kosovës është zgjedhur Ramush Haradinaj. Haradinaj ka luftuar për Kosovën dhe është njëri prej komandantëve më të zotë të luftës. Por, pasluftës është raportuar se ka drejtuar një bandë të madhe që ka luftuar me banda tjera për ndarje të pasurisë dhe të mirave materiale” – vazhdon arsyetimin azilkërkuesi nga Kosova.

“Njerëzit e tij më të afërm kanë qenë në burg për vrasje. Të tjerë kanë kidnapuar njerëz për t’ju marrë para”, – arsyetohet azilkërkuesi.

“Zëvendës i kryeministrit Haradinaj është Fatmir Limaj. Është i akuzuar për krim të organizuar, marrje ryshfeti, shpëlarje parash që lidhen me punën e tij si ministër i Transportit. Kam lexuar në media se vetëm pagesat e avokatëve për t’u mbrojtur nga këto akuza kanë arritur mbi 2 milion euro” – arsyetohet më tej azilkërkuesi kosovar.

“Zëvendës tjetër i Haradinajt është Behgjet Pacolli, një biznesmen i suksesshëm në lindje. Kam lexuar në media se sa ishte zëvendëskryeministër disa vjet më parë, atij iu kërkuan 4 milion euro nga Ukë Rugova e Astrit Haraqija si haraç për të mos ia marrë një hotel në procesin e privatizimit. Tash, edhe Rugova edhe Haraqija janë pjesë e qeverisë bashkë me Pacollin”, vazhdon tregimin azilkërkuesi.

“President e kemi Hashim Thaçin, i cili thuajse është i izoluar. Ai po hetohet nga Prokuroria Speciale dhe ka gjasa që të përfundojë në Hagë. Kam lexuar se prej ardhjes në pushtet, pasuria e tij dhe e familjes ka arritur në miliona euro” – vazhdon arsyetimin ai.

“A nuk janë këto arsye të mjaftueshme për të ma dhënë azilin? Unë nuk kthehem në Kosovë. Nuk kam kurrfarë sigurie për familjen. Jemi të rrezikuar” – arsyetohet ai.

Zyrtari gjerman dëgjon rrëfimin e azilkërkuesit.

“Pas një jave të japim përgjigje” – shton ai teksa përfundon intervistën me azilkërkuesin.

Një javë në jetë në kamp për azilkërkuesin nga Kosova është sa një vit. Jeton nën ethe se mos po i refuzohet azili dhe po riatdhesohet në Kosovë.

“Shteti gjerman ka vendosur që t’ju pranojë azilin… derisa në Kosovë të qeverisin njerëz që nuk ua rrezikojnë mirëqenien qytetarëve të vetë, por punojnë për ta” – thuhet në vendimin e autoriteteve gjermane.

(Tregimi është fiksion i dalë prej zhvillimeve të fundit)