Erërat e furishme që e kishin mbërthyer këtë port të vogël, të nxjerrë jashtë funksionit, kah fundi i pranverës, shkaktuan habi edhe tek ekologu lokal, i mësuar me shkatërrimet e shkaktuara nga zhdukja e Detit Aral.
Një mjegull e dendur e priti ekologun, Gileyboi Zhyemuratov, teksa ai doli jashtë, atë ditë të majit, përcjell sot Koha Ditore artikullin e New York Times-it.
“Posa ta hapje derën, gjithçka ishte e mbuluar me një të bardhë, si të borës”, ka thënë Zhyemuratov (57), pasardhës i një gjenerate peshkatarësh, në një vend ku nuk ka më peshq.
Derisa era nuk po ndalej, Vladimir Zuev, piloti i pensionuar rus, që tani organizon turne nëpër këtë qytet, po qëndronte i ulur në oborrin e tij, brenda të cilit bie në sy busti i Leninit dhe ikonave të tjera sovjetike.
“E kishe të pamundur të shihje diçka”, ka thënë ai. “Kripa ishte e thatë, por të ngjitej në lëkurë dhe nuk mund ta hiqje. Mezi që lahej me ujë”. Lulet në oborrin e tij u mbuluan nga kripa.