Jozyrtarisht ne" />

Detaje të reja për emrin e ri të Maqedonisë

Detaje të reja për emrin e ri të Maqedonisë

Shkupi e Athina zyrtare nuk sqarojnë pse po vonohet biseda telefonike mes kryeministrave Zoran Zaev e Aleksis Cipras për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.

Jozyrtarisht negociatat për çështjet teknike tashmë kanë përfunduar. Ndërsa ish ministri i jashtëm Antonio Milloshoski ka shkruar në facebook se përveç pakos së pranuar për emrin “Republika e Maqedonisë Veriore” dhe shtetësinë “e Republikës së Maqedonisë Veriore”, Greqia mbrëmë ka parashtruar edhe dy kërkesa, që nuk ishin pjesë e kornizës së dakorduar të Marrëveshjes Kocias-Dimitrov në Bruksel.

Edhe atë:

1. Gjuha të mos shkruhet “Macedonian” ashtu siç është e regjistruar tani në OKB, por me shkrim latin “Мakedonski” pa asnjë përkthim

2. Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë të mos jetë pas ftesës për anëtarësim në NATO, por Maqedonia fillimisht të organizojë referendum me rezultat pozitiv, njëkohësisht ta ndryshojë Kushtetutën dhe pastaj të presë të ftohet nga NATO dhe BE.

Ndërsa opsioni i tretë është që marrëveshja të shtyhet për disa muaj –  shkruan Antonio Milloshoski, Ish ministër i Jashtëm.

Opozita greke ka kërkuar sqarim nga Ministria e Jashtme greke për paralajmërimet e djeshme të Milloshoskit se të enjten ose të premten do të arrihet marrëveshje, por kjo e fundit ka refuzuar të komentojë. Gjithsesi zyrtarët shtetëror të dy vendeve mbeten optimistë. Zv/ kryeministri, Bujar Osmani në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogerini ka theksuar se orët në vijim mund të jenë kyçe për rezultatin e negociatave. Ndërsa ministri alternativ për Reformë në Administratën Publike të Greqisë, Kristofor Vernardikis ka thënë se telefonata e kryeministrave nuk do të jetë negociatë, por do të vulosë nëse ka marrëveshje ose nuk ka. SHBA-të ndërkaq vazhdojnë të inkurajojnë palët ta zgjidhin problemin, pasi kjo do të jetë në favor të gjithë rajonit.

Negociatat po vazhdojnë mes dy vendeve me ndihmë të OKB-së. ajo që veçanërisht po ndodh ia lë atyre ta diskutojnë, por ne ashtu si BE-ja dhe shumë të tjerë shpresojmë që këto negociata të vijnë te një zgjidhje të përbashkët të pranueshme, që njerëzit e kanë kërkuar për një kohë të gjatë – tha Xhes Bejli, Ambasador i SHBA-ve.

Mediat greke raportojnë se dita e sotme është vendimtare. Sipas tyre, nëse Zaev pranon marrëveshjen e hartuar 20 faqëshe çështja e emrit do të zgjidhet, në të kundërt negociatat do të dështojnë.