
Ka përfunduar takimi në mes LDK-së, Alternativës në njërën anë, dhe Vetëvendosjes në anën tjetër, për të diskutuar rreth harmonizimit të platformës programore për qeverisjen e vendit.
Ky takim erdhi urgjentisht pasi lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, konfirmoi largimin nga koalicioni me LDK-së dhe Alternativën.
Ilir Deda, si përfaqësues i Alternativës në këtë takim, ka dhënë detaje nga ajo që u fol aty.
Ai ka thënë se takimi që u mbajt sot është në frymën e takimit të para 10 ditëve.
“Kemi pajtim për pikat programore, dhe ato do të listohen nesër. Po ashtu, nesër do të flitet edhe për pikat që do të diskutohen”, ka thënë Deda pas takimit.
Megjithatë, ai e pranon se këto takime janë shumë të vonuara.
“Shumë jemi vonë, por më mirë është se kemi filluar të diskutojmë se si do të qeveriset vendi jonë”, ka shtuar ai.
Sa i përket asaj se AKR do të formojë grup të veçantë parlamentar, Deda beson se kjo është në frymën e presionit ndaj LDK-së dhe Vetëvendosjes që sa më parë t’i harmonizojnë qëndrimet e platformës.
“Unë pres që në takimin e nesërm të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i AKR-së”, ka thënë ai./Insajderi.com