Dështon tentimi për vetëvrasje me të bijën tetëvjeçare

16.05.2018 19:54
Dështon tentimi për vetëvrasje me të bijën tetëvjeçare

Para tri javësh, një baba me të bijën e tij u rrëzuan nga kati i katërt i një godine banimi në Grenchen të Zvicrës. Tani, Prokuroria është duke hetuar ndaj prindit për veprën penale “përpjekje për vrasje”.

Ngjarja kishte ndodhur në lagjen Monbijou të Grenchenit, kur banorët në mëngjes u zgjuan nga klithmat dëshpëruese të një gruaje. Rreth orës 07.00 një burrë dyzetvjeçar, me të bijën tetëvjeçare është hedhur nga kati i katërt i një godine banimi, duke u rrëzuar nga një lartësi prej rreth dhjetë metrash në truallin e ndërtesës. Me këtë rast, që të dy kanë pësuar lëndime të rënda dhe tani edhe më tej janë në trajtim mjekësor.

Në lagjen në fjalë po dëgjohen dyshime se burri është hedhur me qëllim nga dritarja. Gjithashtu po flitet se rrëzimit i ka paraprirë një zënkë e ashpër. Policia zvicerane është duke hetuar në të gjitha drejtimet, shkruajnë mediat vendore, përcjell Albinfo.ch. Aktualisht, Prokuroria e Solothurnit, rrëzimin e ka vlerësuar si përpjekje për vrasje.

Sipas asaj që raporton Televizioni “Tele M1”, ndaj babait dyzetvjeçar kanë filluar hetimet. Dyshohet se së bashku me të bijën ka dashur të vetëvritet. Në rast të ndonjë dënimi, atij i kërcënohen disa vite burg.

Sipas banorëve, javën e kaluar policia i ka kërkuar çelsat e banesës, ku ka qëndruar rreth dy orë. Më pas, brava e derës është ndërruar dhe ajo tani jepet me qera nga 01 korriku i këtij viti. Pas kësaj ngjarje të rëndë, nëna nuk është parë më nga askush