Dështon takimi Rama-Basha

Dështon takimi Rama-Basha

Edi Rama dhe Lulzim Basha kishin rënë dakord në parim të takoheshin me njëri-tjetrin në një tryezë dialogu, për të cilën po punonte prej disa ditësh ambasadori amerikan. Por zhvillimet e së enjtes treguan se takimi mbetet vetëm teorik.

Megjithëse, sipas një burimi pranë tij, Kushtetuta për qeverinë dhe datën e zgjedhjeve mbetej e paprekshme, kryeministri në publik reagoi kështu:

“Nuk flas sot dhe dua mirëkuptimin tuaj që të mos flas as për qeverinë teknike, as për datën e zgjedhjeve, për një arsye shumë të thjeshtë: kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur. Nuk kam as orë dhe as vend. Shpresoj që t’i kem orën dhe vendin, kudoqoftë. Unë preferoj në çadër, por s’ka asnjë problem po të jemi diku tjetër, dhe në çfarëdo lloj formati që të jetë. Vetëm për vetëm, me shokë bashkë, me apo pa aleatë, me të gjithë aleatët”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama nuk ndryshoi pozicionin e tij kushtetues kundër qeverisë teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve, por u shpreh i gatshëm t’i japë opozitës gjithçka për një reformë të thellë zgjedhore.

“Është e mundur gjithçka që ka të bëjë me legjislacionin, gjithçka që ka të bëjë me mekanizmat që lidhen me procesin zgjedhor. Është e mundur”, tha Rama.

Por opozita, e cila paradite foli për një kërkesë për takimin e stafeve, duket se e lexoi ndryshe situatën pasditen e së enjtes. Paradite, Berisha u duk se ofroi një pikë ku mund të diskutohej kompromisi:

“Le të firmosë, të ikë në datën 18, të krijojmë qeveri teknike”, ishte shprehur Berisha.

“Ky nuk është dialog. Këto janë monologje. Ky është vendi dhe tani është momenti t’iu them juve miqtë e mi dhe gjithë shqiptarëve që na ndjekin, se monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj”, tha Basha.

Lulzim Basha, i cili më herët kishte kërkuar takim mes stafeve për të koordinuar një takim me axhendë të parapërgatitur me Ramën, shpjegoi pasditen e së enjtes domethënien e kësaj kërkese. Që ishte po e njëjta kërkesë:

“E hapur mbetet ftesa për dialog, për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike. Por nëse lojërat dhe cicmicet janë përgjigjja e vetme e republikës së vjetër dhe e atyre që kanë filluar të numërojnë mbrapsht orët e privilegjeve të pushtetit, atëherë nga ky shesh iu themi se përballja do të jetë përgjigjja jonë deri në fitore”, tha Basha.

Të martën, kreu i opozitës i uroi mirëseardhjen bashkëkrytarit të koalicionit qeveritar, Ilir Meta, ndërsa të enjten pasdite, Basha falënderoi për qëndrim të përgjegjshëm edhe aleatin tjetër të Ramës, Shpëtim Idrizin./TCH