Dështon gjykimi ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

27.11.2017 13:44
Dështon gjykimi ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Në mungesë të ekspert të prokurimit publik, Agim Sheqiri, ka dështuar të mbahet shqyrtimi i paraparë për të hënën, ndaj Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjykatësja Valbona Selimi tha se eksperti ishte ftuar në mënyrë të rregullt për seancë, mirëpo i njëjti me anë të një parashtrese ka njoftuar se nuk do të jetë prezent, pasi që ai kishte thënë se në këtë datë ka të caktuar disa trajnime, të cilat nuk mund t’i shtyjë.

Pasi që në seancën e kaluar, më 25 tetor, ishte vendosur që të bëhej ballafaqimi i dy ekspertëve financiarë për këtë çështje, ekspertit Sheqiri dhe ekspertit Besim Mulaj, gjykata njoftoi se nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme për mbajtje të seancës.

Seanca e radhës për këtë rast, është caktuar më 22 dhjetor 2017, në orën 10:00.

Ndryshe, në në seancën e 25 tetorit të këtij viti, kishte elaboruar ekspertizën e tij, eksperti Besim Mulaj.

Eksperti Mulaj kishte deklaruar se ekspertiza e eksperti Sheqiri ishte e gabuar dhe se e njëjta ka pasur disa lëshime teknike dhe administrative, andaj gjykata kishte vendosur që të ftojë dy ekspertët pasi që ekspertizat e tyre dallonin nga njëra tjetra.

Ndërsa, eksperti Sheqiri në ekspertizën e tij, kishte thënë se ka pasur shkelje administrative në tenderët “Shkatërrimi i barnave me afat të skaduar”, “Furnizim me infuzione”, “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, si dhe “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartë përmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit poashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj./Betimi për Drejtësi