Dështojnë projektet për kthimin e serbëve, humbin mbi 2 milionë euro

25.11.2017 08:47
Dështojnë projektet për kthimin e serbëve, humbin mbi 2 milionë euro

Organizatat e ndryshme të huaja dhe Qeveria e Kosovës kanë investuar mbi 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të serbëve në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë.

Familjet serbe që jetojnë në veri të Mitrovicës, shumë prej tyre në banesa të uzurpuara të shqiptarëve, përveç që nuk janë kthyer kurrë për të jetuar në pronat e tyre, ata vetë i kanë demoluar shtëpitë e disa edhe i kanë shitur.

Mbi 2 milionë euro që janë dhënë për ndërtimin e shtëpive të serbëve kanë shkuar huq pasi që serbët e disa fshatrave të komunës së Vushtrrisë, të cilët pas përfundimit të luftës kanë ikur në veri të Kosovës dhe në pjesë të ndryshme të Serbisë, ndonëse u janë krijuar kushte ideale për jetë të qetë në pronat e tyre prej nga kanë ikur, nuk janë kthyer kurrë për të jetuar aty ku kanë pasurinë dhe pronat.

Komuna e Vushtrrisë dhe organizata të ndryshme të huaja janë përkujdesur që serbëve të zhvendosur t’u ndërtohen shtëpitë dhe përveç ndërtimit shtëpitë e tyre janë mobiluar si dhe janë stimuluar me nga 2 mijë euro vetëm që të kthehen dhe ta fillojnë jetën në pronat e tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Kushte të njëjta për serbët ka krijuar edhe Komuna e Mitrovicës, por as atje familjet serbe nuk janë kthyer kurrë. Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi.

Por, megjithëse kishin pranuar të kthehen, shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003 në fshatin Maxhunaj qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat.

Një vit më vonë gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010 në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe. Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe qeverive të shteteve evropiane.

“Përveç ndërtimit të shtëpive për të kthyerit, shtëpitë e tyre edhe ishin mobiluar, ndërsa krahas kësaj familjeve serbe që do të ktheheshin, sipas një projekti, u jepeshin edhe nga 2 mijë euro”, ka thënë zyrtari komunal për Kthim në Vushtrri, Ekrem Merovci.