Dështimi i “Trumcare”, presidenti luan lojën e fajit

25.03.2017 22:40
Dështimi i “Trumcare”, presidenti luan lojën e fajit

Presidenti amerikan, Donald Trump pësoi një disfatë të rëndë pasi reforma e tij shëndetësore u tërhoq pa dalë fare në votim të premten.

Ishte e sigurt që ligji i tij nuk do të miratohej, pasi nuk mori as votat e një pjesë të Partisë Republikane, e cila kontroll të dyja dhomat e Kongresit. Por ndërsa shigjetoi republikanët që nuk i dhanë votën duke thënë se mësoi diçka për besnikërinë, Trump fajin kryesor e hodhi mbi demokratët.

“Nuk patëm mbështetjen e demokratëve, nuk morëm as edhe një votë prej tyre. Mendoj se humbësit janë kreu i demokratëve në dhomën e përfaqësuesve Nensi Pelosi dhe kreu i tyre në senat Chuck Schumer, sepse tani ata janë pronarët e Obamacare”, tha Donald Trump, presidenti i SHBA.

Eleminimi i Obamacare ishte një prej premtimeve kryesore të Trump në fushatë, por tashmë që dështoi ën këtë drejtim, ai tha se Republikanët për momentin do të përqendrohen mbi reformën për taksat, shkruan Tch.

Mediat amerikane raportojnë se nga 28 deri në 35 republikanë konservatorë nuk pranuan të votojnë për ligjin e Trump, me justifikimin se shkurtonte tej mase sigurimet, apo se nuk bënte mjaftueshëm për të eliminuar Obamacare.

Gjithsesi, disfata tregoi edhe një herë se kur Trump nuk fiton, thjesht kërkon kë të fajësojë pa mbajtur asnjë përgjegjësi mbi vete.