Dështimi i madh i ROSU-s në Veri – Si iu iku nga duart njeriu kryesor i Vuçiqit

Shteti ndërmori një aksion me Njësinë e Speciale të Intervenimeve ROSU, të hënën në Mitrovicën e Veriut duke arrestuar në mënyrë spektakolare shefin e Zyrës për serbe për Kosovë, Marko Gjuriq. Por dështoi ta arrestojë njeriun kryesor të Vuçiqit, Nikolla Selakoviq. Ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministri Behgjet Pacolli ia ka konfirmuar Insajderit dështimin për ta arrestuar sekretarin e Vuçiqit

Dështimi i madh i ROSU-s në Veri – Si iu iku nga duart njeriu kryesor i Vuçiqit

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin nisur në një mision të madh mesditen e së hënës. Dy zyrtarë të lartë të shtetit serb ia kishin mërsyer Kosovës edhe pse shteti nuk ua dha lejen për të hyrë në Kosovë.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyra e Kosovës e Metohisë, Marko Gjuriq dhe sekretari gjeneral i presidentit Aleksandër Vuciq, Nikolla Selakoviq ishin nisur drejt Mitrovicës së Veriut dhe do të bënin hyrjen triumfale në një sallë ku do të mbanin “një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës”.

Kur ROSU hyri në sallën ku po mbahej takimi, Gjuriq dhe Selakoviq ishin aty. Por Policia arriti ta arrestojë vetëm Marko Gjuriqin. Në pamjet e publikuara nga televizioni “Pulse” në Serbi, Gjuriq dhe Selakoviq shihen bashkë deri në momentin e hyrjes së pjesëtarëve të ROSU-s në sallë.

VIDEO: Pamje ekskluzive: Arrestimi i Gjuriq

Por Selakoviq zhduket dhe ROSU nuk arrinë ta arrestojë. Por teksa Gjuriqin e ekspozoi për disa metra në hyrje të objektit të Stacionit kryesor, Selakoviq ka qenë rrugës për në Merdare, atje ku më vonë e kanë lënë edhe kolegun e tij Gjuriq.

Policia e Kosovës në komunikimet e tyre zyrtare për mediat dhe publikun nga aksioni i së hënës nuk e ka përmendur askund Nikolla Selankoviqi, si person i kërkuar ose i ikur nga arrestimi. Në një komunikatë zyrtare pas aksionit përmendet vetëm Marko Gjuriq dhe Aleksandar Vulin, por jo edhe sekretarin gjeneral të presidentit Vuçiq.

VIDEO: Dështimi i ROSU-s ta arrestojë Nikolla Selakoviq

Insajderi ka pyetur Policinë nëse kanë pasur ta arrestojnë edhe Nikolla Selakoviqin apo vetëm Marko Gjuriqin. Zyra për Media tha se fletarrest nuk ka pasur për asnjërin.

“Ai që është arrestu dje (Marko Gjuriq) ka pas refuzim hyrje në Kosovë”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Kur është pyetur nëse ndalimi i hyrjes në Kosovë ka përfshirë dy zyrtarët e lartë serb, Kelani ka dhënë një adresë tjetër.

“Për krejt atë lejimin edhe mos lejimin është përgjegjëse ministria, Ministria e Punëve të Jashtme i merr këto vendime”, ka thënë Kelani.

E ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ka konfirmuar Insajderit se Selakoviq ka hyrë ilegalisht porse ROSU nuk ka mundur ta identifikojë atë dhe kësisoj ka dështuar ta arrestojë.

“Selakoviqi ka hyrë ilegal dhe Policia gjatë intervenimit nuk ka mundur ta identifikojë në mënyrë që ta arrestojë atë”, ka thënë Behgjet Pacolli.

Insajderi ka siguruar audio incizime brenda sallës ku është kryer aksioni i ROSU-s ku dëgjohen duke e kërkuar ta arrestojnë edhe sekretarin e Vuçiqit.

E teksa Gjuriq bartej në Prishtinë, Selakoviq kishte dalë me një konferencë për media. 

Më pas të dytë janë takuar në Beograd , teksa presidenti Aleksandar Vuçiq në mbrëmje pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, doli në një konferencë duke e cilësuar Kosovën si “shtet bandit që organizon aksione kriminale”.

Duke e argumentuar cilësimet e tij të mllefosura dhe sesi sipas tij aksioni i shtetit të Kosovës ka qenë jo ligjor, Vuçiq shtroi edhe një pyetje. Pikërisht për sekretarin gjeneral në Zyrën e tij, Nikolla Selakoviq.

“Pse nuk e kanë arrestuar atëherë Nikolla Selakoviqin? E pse nuk e kanë arrestuar atë nëse i respektojnë ligjet e shtetit bandit. Krejt kjo do të thotë që atje s’ka kurrfarë ligjesh”, ka thënë Vuçiq në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Vuçiq gjithashtu ka paraqitur dy njoftime të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë e Metohi që kanë lajmëruar autoritetet e Kosovës për vizitën e dy zyrtarëve të lartë serb në Mitrovicë të Veriut dhe Manastirin e Bojanës. Por Kosova ka ndërmarrë aksionin pasi Ministria e Punëve të Jashtme, e drejtuar nga zv.kryeminsitri Behgjet Pacolli ia ka ndaluar hyrjen Gjuriqit dhe Sellakoviqit.

Emailet që Zyra e Gjuriqit i ka dërguar autoriteteve të Kosovës e cila është refuzuar pikërisht nga Ministria e Punëve të Jashtme, shihet se në Kosovë do të vinin si zyrtarë të lartë Gjuriq dhe Selakoviq së bashku me dy përcjellës dhe dy shoferë për makinat e tyre./ Insajderi.com