Dëshmitari thotë se testimi i njehsorëve “Kohler” u bë në Turqi

Dëshmitari thotë se testimi i njehsorëve “Kohler” u bë në Turqi

Dëshmitari Shukri Aliu, ka deklaruar se për testimin e njehsorëve elektrikë “Kohler”, së bashku më zyrtarët të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kishin shkuar në Stamboll të Turqisë.

Shukri Aliu, së bashku me dëshmitarin tjetër Nazmi Rexhepi, kanë dhënë dëshmitë e tyre, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Kohler”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohen Drita Hamiti, Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidema,

Dëshmitari Aliu, për periudhën që e përmend prokurori në aktakuzë, ai kishte qenë udhëheqës i sektori të AMR (leximit të njehsorëve në distancë).

“Në llotin e parë diku pre 9600 orëve ne kemi qenë në fabrikën KOHLER në Stamboll në Turqi, ku kemi bërë testimin e softuerit të njehsorëve, ku në 1000 njehsorë kemi pasur për obligim t’i testojmë  40, e që diku janë testuar 400 njehsorë”, ka deklaruar dëshmitari Aliu.

Sipas tij, KEDS-i ka qenë kompetent të bëjë testimin softuerit të njehsorëve, ndërsa MTI-ja, ka qenë kompetente të bëjë testimin e matjeve të njehsorëve.

Dëshmitari gjatë dhënies së dëshmisë së tij, tha se ai ka qenë në një komision për të bërë testimin e një njehsori nga rajoni i Gjilanit, i cili njehsor ka matur energji pa ngarkesë, ku për këtë, sipas tij, ky komision kishte bërë një raport dhe atë më pas ia kishin dërguar menaxherit të tyre, Selman Hoti.

Aliu shtoi edhe këtë se pas paraqitjes së problemeve në terren KEDS-i, kishte thirrur një takim ku kishte marr pjesë edhe përfaqësuesi i kompanisë “Kohler”, i cili kishte thënë se ai i kishte paralajmëruar KEDS-in për këto probleme në takimin e tyre në Turqi.

Dëshmitari Shukri Aliu, para trupit gjykues tha se ata në mbledhjen me përfaqësuesin e kompanisë “Kohler”, kishin marr vendim që nëse paraqiten probleme të tjera me njehsorë, ata të zëvendësohen me të tjerë.

Ndërsa, dëshmitari Nazmi Rexhepi, nga gjykata ishte ftuar për herë të dytë pasi që ishte ndryshuar trupi gjykues. Rexhepi kishte dhënë dëshminë e tij edhe në seancën e 15 nëntorit 2016.

Në seancën e sotme për dëshmitarin Nazmi Rexhepi, nuk kishte asnjë pyetje nga prokurori, avokatët, por as nga trupit gjykues.

Kurse, ky dëshmitar në seancën e 15 nëntorit të vitit të kaluar, kishte deklaruar se ai ishte dëmtuar nga këta njehsorë pasi që, fatura për shpenzimin e energjisë elektrike, i kishte ardhur shumë më e lartë, sesa ajo që e kishte pasur me njehsor mekanik.

Po ashtu, dëshmitari Rexhepi, kishte shtuar se në lokalin të cilin posedon qe 32 vjet, asnjëherë nuk kishte paguar rrymë ma shumë sesa kur i ishte montuar njehsori elektrik “Kohler”.

Seanca e radhës ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve tjerë u caktua më 21 dhjetor 2017, nga ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 tetor 2015, ka ngritur aktakuzë kundër Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajt, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it.

Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Sipas aktakuzës, dy zyrtaret Ajvazi dhe Hamiti, kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimit e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, të tipit digjital AEL. TF.04-1.

Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale, pas i njëjti nuk jeton më. Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi. /Betimi për Drejtësi.