Dëshmitari që thotë se i ka dhënë ryshfet ministrit turk

30.11.2017 12:05
Dëshmitari që thotë se i ka dhënë ryshfet ministrit turk

Një dëshmitar i prokurorëve amerikanë ka thënë dje në gjykatë se i ka paguar më tepër se 50 milionë dollarë ryshfet te Ministri i Ekonomisë së Turqisë në vitin 2012, në kuadër të skemës prej 1 miliardi dollarësh për ta ndihmuar Iranin, që t’u shmanget sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Këtë marrëveshje të tij me ish-ministrin e Ekonomisë së Turqisë, Mehmet Zafer Caglayan, biznesmeni iraniano-turk Reza Zarrab, tash në rolin e dëshmitarit, e ka përshkruar në procesin e dëshmive gjyqësore në Nju Jork, kundër bankerit turk, Mehmet Hakan Atilla, i cili është i akuzuar si bashkëpunëtor i zotit Zarrab në konspiracion, për shmangie të sanksioneve kundër Iranit dhe për dhënie të ryshfetit për zyrtarët publikë.

Zarrab, 34-vjeçar, i cili ka deklaruar se është fajtor lidhur me akuzat për mashtrim në këtë rast dhe bashkëpunon si dëshmitari kryesor i Qeverisë amerikane, ka thënë se ka diskutuar për skemën e evitimit të sanksioneve me ish-ministrin Caglayan, me ç’rast i ka përdorur valixhet përplotë me ar për pastrim të parave të Iranit.

“Mund të ndihmojë me këtë, duke pasur parasysh se profiti ndahet 50-50” e ka cituar Zarrabi ish-ministrin Caglayan.

Zoti Caglyan është i akuzuar në këtë rast, por ai ende është në ikje. Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Mehmet Zafer Caglayan, ishte Ministër i Ekonomisë kur kryeministër i Turqisë ishte presidenti i tashëm, Recep Tayyip Erdogan.

Ai pat dhënë dorëheqje në vitin 2013, kur autoritetet e Turqisë e filluan hetimin nëse ai dhe ministrat e tjerë kishin marrë ryshfet nga Zarrabi për ta ndihmuar Iranin që t’u shmaget sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Zarrab ishte arrestuar në Turqi në atë kohë, por autoritetet e Turqisë përfundimisht e kishin liruar atë dhe i kishin tërhequr të gjitha akuzat kundër tij.

Autoritetet amerikane kanë panuar se rasti i tyre ishte marrë nga hetimet turke.

Ndihmësprokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Sidhardha Kamaraju, i tha gjykatës se Zarrab e kishte orkestruar konspiracionin e nivelit të lartë për ta ndihmuar Iranin që t’i anashkalojë sanksionet amerikane dhe të mundësojë të ardhura prej 1 miliardi dollarësh për Iranin, nga shitja e gazit dhe naftës, duke lëvizur nëpër tregjet bankare në Shtetet e Bashkuara dhe në ato globale.

Zarrab, gjatë dëshmisë së tij, tha se kishte hasur në rezistencë kur i ishte afruar një ekzekutivi të bankës Halkbank, që është pronë e Qeverisë turke, në fund të vitit 2011 ose në fillim të vitit 2012, në përpjekje për të përfituar qasje te parat iraniane.

Ky ekzekutiv i bankës ishte frikësuar se personaliteti i Reza Zarrabit, si bashkëshort i yllit të njohur të muzikës turke, Ebru Gundes, do të nxiste interesim për transakcione.

Pas kësaj, Zarrab tha se ishte takuar me ish-ministrin Caglayan, i cili i tha se do ta lehtësonte mënyrën për transakcionet e tij, por vetëm nëse do ta merrte gjysmën e profitit. Zarrab dëshmoi se pjesa e Caglayanit ishte gjithsej më tepër se 50 milionë dollarë.

Reza Zarrab tha se ai kishte arritur që nga shitja e gazit dhe naftës iraniane në Turqi, të blente ar, e pastaj nëpërmjet korrierëve ta dërgonte arin me valixhe në Dubai, ku ari përsëri ishte konvertuar në para të gatshme, që ishin depozituar në një xhirollogari të një kompanie bankare.

I akuzuari, Mehmet Hakan Atilla, 47-vjeçar, që ishte ekzekutiv i lartë në bankën Halkbank, ka thënë se nuk është fajtor.

Një avokat i tij e ka sulmuar kredibilitetin e Zarrabit, duke e portretizuar si “gënjeshtar”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje autoriteteve amerikane që ta “rishqyrtojnë” vendimin për ta akuzuar ish-ministrin Caglyan, duke thënë se ai nuk ishte angazhuar në asnjë keqbërje, meqë Turqia kurrë nuk kishte imponuar sanksione kundër Iranit.

Ankaraja e konsideron Iranin si partner të rëndësishëm tregtar.

Para se Zarrab të bëhej dëshmitar kryesor i Qeverisë amerikane, zoti Erdogan disa herë kishte kërkuar që Shtetet e Bashkuara ta lirojnë atë.

Ministrat e tij kanë vlerësuar se rasti është i “fabrikuar” dhe se Zarrabi mbahet “peng” për ta detyruar që të dëshmojë.