Dervish Sadikaj që mori miliona nga Bukoshi në kohë lufte, është pronari i selisë së PDK-së

Dervish Sadikaj që mori miliona nga Bukoshi në kohë lufte, është pronari i selisë së PDK-së

Emrin e luftës e mbante “Dervish Sadikaj”, por emri i tij i vërtetë është Burim Marmullaku. Një biznesmen nga Komuna e Klinës, që dikur privatizonte objekte gjigante, si ajo e selisë së PDK-së që gjendet në qendër të Prishtinës. Kurse, në emër të “Dervishit”, ai pretendohet se ka pranuar 3 milionë marka gjermane nga Qeveria e Bukoshit. Por me sa duket, me para, as pas luftës nuk i shkuan punët keq

Tash Burim Marmullaku, e dikur “Dervish Sadikaj”, pretendohet se i pranoi 3 milionë marka gjermane nga Qeveria e Bujar Bukoshit, që ishin dërguar për nevojat e luftës, për ushtarët e UÇK-së në vitin 1998, shkruan Gazeta Express.

Edhe sot e kësaj dite, njerëz që ishin të involvuar në UÇK mendojnë se emri i tij i vërtetë është “Dervish Sadikaj”.

I ashtuquajturi “Dervish Sadikaj” që ishte truproje e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, fillimisht u përmend nga ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Krasniqi tha se ishte Dervishi që mori 3 milionë marka gjermane, të dërguara nga Qeveria e Bukoshit në fund të vitit 1998. Për rrugën e këtyre milionave, tha se është në dijeni më shumë ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

E Zyrapi për Express pati thënë se “Dervishi” ishte nofkë, por nuk e dinte se nofkë e kujt ishte.

Ndërsa Ibrahim Kelmendi tregoi se kush është “Dervishi” dhe tregoi për të bëmat e tij, por edhe për lidhjet e tij me tash liderë të vendit, duke u nisur nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Rexhep Selimi, Sokol Bashota, e shumë të tjerë. Madje, “Dervishi” është vëllai i bashkëshortes së Bashotës.

Por, kush është sot “Dervishi” dhe me çka merret ai?

Emri i Burim Marmullakut në vitin 2016 është përfshirë në skandalin e uzurpimeve ku të parët dolën të jenë PDK-ja, menjëherë pas zgjedhjeve të kësaj partie.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, menjëherë pasi u zgjodh i pari i kësaj partie, kishte kërkuar nga Agjencia e Privatizimit ta publikojë listën e uzurpatorëve.

Ndër uzurpatorët më të mëdhenj, dolën të jenë vetë PDK-ja. Objekti i selisë së Partisë Demokratike të Kosovës që gjendet në qendër të Prishtinës, ishte në listën e uzurpimeve. Por, më 1 shkurt të vitit 2011, atë objekt e privatizoi kompania “Guri” nga Klina, me pronar Burim Marmullakun.

Marmullaku vlen të theksohet se është edhe vëllai i gruas së ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota. Me të njëjtin, Marmullaku pati lidhje edhe gjatë kohës së luftës.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Privatizimit, PDK-ja kishte uzurpuar objektin ku gjendet selia e saj që i përkiste ndërmarrjes shoqërore “Drithnaja”.

Objekti prej 460 metrash katrorë, bazuar në listën e publikuar nga AKP-ja, është shitur në vitin 2011, në valën e 44-të të privatizimit. Ky objekt është blerë nga Burim Marmullaku për një shumë prej 371 mijë e 111 euro.

Gazeta Express ka tentuar të mërkurën të flasë me Marmullakun për pranimin e 3 milionë markave në kohën e luftës, por ishte i paqasshëm në telefon.

Por, sa i përket privatizimit të objektit të PDK-së, ai e pati konfirmuar se objekti është pronë e privatizuar nga ai.

“E kemi privatizuar ne. PDK-ja më paguan qira mujore rreth 1800 euro. Për detaje rreth kontratës mund të shkoni në PDK, ju tregojnë ata”, ka thënë Marmullaku për “Zërin”, ndërkohë që e ka pohuar se e ka mik të shtëpisë kryetarin e Klinës.

Gazeta, po ashtu, ka siguruar informata të sakta se kunati i ish-kryetarit Bashota e ka ndërtuar edhe një kompleks të madh banesor në qendër të qytetit të Klinës, të cilat i ka lëshuar në shitje. Banesat i ka reklamuar edhe në rrjetin social “Facebook” nën emrin e kompanisë “Guri-Klinë” SH.P.K. Engineering/Construction. Ndërkaq, zyra për informim e Komunës së Klinës dhe ish-kryetari Bashota nuk kanë dashur të përgjigjen rreth favorizimeve që mund t’i jenë bërë kunatit të tij për dhënien e lejeve të ndërtimeve apo lidhjeve të tij familjare me të.