Dërguti: Qeveria ‘Pronto’ po e fsheh republikën me letër ngjitëse

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka thënë se nën emërtesën liria e lëvizjes po mohohet çdo herë e më shumë shtetësia e Kosovës përballë Serbisë.

Dërguti: Qeveria ‘Pronto’ po e fsheh republikën me letër ngjitëse

“Qeveritë e negociatave me Serbinë gjithnjë na kanë thënë se po bisedojmë me qëllim forcimin e shtetësisë së Kosovës. Por ne po jemi dëshmitarë që forcimi i shtetësisë përballë Serbisë po mbetet vetëm në deklaratat e Edita Tahirit, Thaçit, Mustafës e së fundi dhe Veselit”, ka thënë Gërguti gjatë një konference të mbajtur sot.

“Për ta saktësuar edhe marrëveshjen e 14 shtatorit të 2016, që në thelb nuk ndryshon nga ajo e 2 korrikut 2011, duhet t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Kosovës se qeveria ka rënë dakord  që: 1. Palët janë pajtuar që të mbulohen pjesët relevante të tabelave respektive të automjeteve me dy letër ngjitëse të bardha; 2. Ky sistem me letër ngjitëse do të hyjë në fuqi me 15 nëntor 2016”, ka thënë më tej Gërguti.

Dërguti tha po ashtu se në këtë marrëveshje s’është arritur pajtim që të mos ketë më targa të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë me inicialet e qyteteve të Kosovës, si KM, të cilat, sipas saj, aplikohen kryesisht në veri të shtetit.

“Aktualisht në Republikën e Kosovës janë katër lloje të targave me të cilat qarkullohet, ato ligjoret RKS pa të cilat ne si qytetarë penalizohemi po të mos i kemi me rregull, janë ato “KS” nga koha e UNMIK-ut të cilat i do ende Serbia, janë “PROBATION” dhe targat e strukturave ilegale të Serbisë”, ka shfaqur shqetësimin ajo.

“Këta që çdo ditë e kanë gojën plot me shtet dhe institucionalizëm, kanë prodhuar këtë situatë aspak të lakmueshme për çfarëdo lloj të shtetit. Nga ana tjetër negociatat me Serbinë në çfarëdo niveli duhet të ndalen. Tashmë është vërtetuar plotësisht se këto negociata kanë dëmtuar Kosovën dhe kanë ndihmuar edhe ende po e ndihmojnë Serbinë për të ecur përpara në proceset integruese. Kjo ecje e Serbisë po bëhet në kurriz të Kosovës falë qeveritarëve “Pronto”. Marrëveshja e 14 shtatorit është e turpshme si çdo marrëveshje që ka sjellë qeveria “Pronto” nga Brukseli këto 5 vite”, ka përfunduar nënkryetarja e Kuvendit dhe deputete e Vetëvendosjes, Aida Dërguti./Insajderi.com

Dërguti: Kisha në oborrin e UP-së po trajtohet si ndërtim pa leje