Deputetja Haxhiu kërkon përgjegjësi nga policia për neglizhencën ndaj rastit të Valbona Nrecajt

Deputetja Haxhiu kërkon përgjegjësi nga policia për neglizhencën ndaj rastit të Valbona Nrecajt

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kundërshtuar deklaratat e policisë në lidhje me rastin e vrasjes së dyfishtë në Brekovc të Gjakovës.

Nënkoloneli i policisë Ahmet Hasi, u mundua ta arsyetoj mospunën e tyre me deklaratën se “viktima në ditën kritike nuk ka kërkuar urdhër për mbrojtje”.

Këtë deklaratë të tij deputetja Haxhiu e ka quajtur tendencë për mbrojtje pas një dështimi të madh.

“Në vend se policia të pranoj dështimin, fajin e neglizhencën, për të mbrojtur jetën e një gruaje dhe një fëmije, dalin në konferenca për medie dhe deklarojnë se “viktima në ditën kritike nuk ka kërkuar urdhër për mbrojtje”. Kjo është tendencë për mbrojtje pas një dështimi të madh për t’i mbrojtur nënën dhe vajzën e saj’, ka shkuar Haxhiu në rrjetin social ‘ Facebook’.

Haxhiu kërkojë përgjegjësi për ata që neglizhuan lajmërimet për kërcenim dhe trajtim serioz.

“Shtrohet pyetja a duhet çdo ditë viktima të kërkoj urdhër për mbrojtje a si është puna? Ku po i marrin këto interpretime kësisoj! Sa më parë, përgjegjësi për ata që neglizhuan lajmërimet për kërcënime dhe trajtim serioz, të menjëhershëm në rastet e dhunës në familje” ka shkruar deputetja e LVV.