Deputetja e VV-së: Si e tregoi injorancën e tij Blerand Stavileci

06.08.2017 16:59
Deputetja e VV-së: Si e tregoi injorancën e tij Blerand Stavileci

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka thënë se ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka treguar injorancën e tij kur krahasoi qytetin e Shtimës me rezidentët e institucionit për shëndetin mendor që ndodhet në atë qytet.

Zyrtari i PDK-së, Blerand Stavileci, në një reagim ndaj deputetit të VV-së, Dardan Molliqaj, i kishte sugjeruar atij që të shkonte në Shtime, duke aluduar në institucionin e shëndetit mendor.

E përmes një reagimi në Facebook, Kollçaku ka thënë se Stavileci me këtë deklaratë e ka treguar veten e tij.

“Ai që i lejon vetes të bëjë krahasime me konotacion negativ me Shtimen, e në fakt duke aluduar në rezidentët e një Institucioni për shëndet mendor, aq më tepër një Ministër fatmirësisht në shkuarje, në të vërtetë tregon shumë më tepër për veten e tij”, ka thënë deputetja e VV-së.

Krahasimet e tilla, siç ka thënë Kollçaku, tregojnë “se sa brengoset ai[Blerand Stavileci v.j] për gjendjen e tyre shëndetësore, problemet me të cilat ballafaqohen, tregon për injorancën e tij ndaj Sektorit të Shëndetësisë”. /Insajderi.com