Deputetja e VV-së: Deputetët që krijojnë parti duhet të japin dorëheqje

Deputetja e VV-së: Deputetët që krijojnë parti duhet të japin dorëheqje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se anëtarët e partisë, që dëshirojnë të dalin nga VV, duhet që të japin dorëheqje edhe nga posti i deputetit.

Haxhiu ka thënë në RTV Dukagjini se nuk ka mundësi që dikush t’i largohet përgjegjësive dhe t’i ruajë privilegjet.

“Unë nuk e kuptoj së pari dorëheqjen nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm”, është shprehur ajo.

“Sidomos nga Këshilli i Përgjithshëm. Për shkak se një deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me automatizëm është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë Haxhiu.

“Pra, deputetët tanë duhet t’i respektojë organet e Lëvizjes Vetëvendosje – dhe nuk mund të ketë dorëheqje nga Këshilli nëse s’ke dhënë dorëheqje nga deputeti”, ka theksuar ajo.

Haxhiu prapë u ka bërë thirrje të dorëhequrve nga postet në parti që të rikthehen në strukturat partiake.